TIRANË - Fushatat dhe aksionet që ka ndërmarrë qeveria e re, për pastrimin e territorit dhe atë të lojërave të fatit, janë të guximshme dhe spektakolare. Deklarata është bërë nga analisti, Shpëtim Nazarko në studion e A1 Report.
 
Duke folur përballë gazetarit, Ervin Kukeli, analisti Nazarko tha se, “fushata e pastrimit të territorit është një shembull shumë i mirë. Këtë fushatë Rama po e bën ashtu siç u bë me Tiranën, kur ai ishte kreu i Bashkisë”.
Duke folur për aksionin kundër kazinove, Nazarko tha se, pas këtij biznesi qëndrojnë pjesa më e egër e krimit dhe e ekonomisë.
 
“Aksioni ndaj kazinove, është shumë i madh dhe unë kam dëgjuar që janë hapur shumë pika. Fakti që shumica e makinetave të sekuestruara janë në rezerva, kjo do të thotë se aksioni ka vazhduar. Pas kazinove ndodhet pjesa më e egër e aktivitetit kriminal dhe ekonomik. Ishte një ndër aksionet më spektakolare dhe të guximshme. Aksione të tilla duhet të bazohet mbi forcën e ligjit”, tha analisti Shpëtim Nazarko.
 
NAZARKO: NË KOSOVË, ZGJEDHJET TË QETA
Në studion e A1 Report, analisti Shpëtim Nazarko, komentoi edhe zgjedhjet që pritet të bëhen nesër në Kosovë. Për Nazarkon, ngjarja e sotme ku mbeti i vrarë një nga kandidatët për këshillin e Komunës së Skënderajt, nuk do të ndikojë në proces.
 
“Nuk besoj se do ndikojë në procesin zgjedhor, sepse rasti i Skënderaj është një rast brenda territorit ku komandohet nga kosovarët. Nuk është një problem etnik. Nuk është vrarë ndonjë njeri për politikë në Shqipëri”, tha Nazarko.
 
Duke folur në studion e A1 Report, Nazarko tha se, “Kosova ka ndjekur një model shqiptar dhe do zvarritet si Shqipëria”. Sipas tij asnjë nga udhëheqësit politikë aktualë në Kosovë, nuk ka treguar ndonjë gjë të madhe, duke përjashtu ish-presidentin Ibrahim Rugova, që sipas Nazarkos ka qenë lideri i vërtetë i Kosovës.
 
“Dy gjeneralët, Thaçi dhe Haradinaj nuk kanë treguar më asgjë pas luftës. Ndërsa LDK-ja me ikjen e Rugovës duket se u shkatërruar. Ndërsa për Vetëvendosjen mund të them se, në këtë kohë Kosova siç duket nuk ka nevojë për patriotizëm. Ndërkaq, AKR ka vendosur që të dalë në zgjedhje me një grup të rinj të shkolluar në perëndim. Thaçit duket se po i mbetet si bashkëudhëtar në rrugën e vet, Pacolli”, tha Nazarko përballë gazetarit, Ervin Kukeli.
 
Sipas tij, edhe në Kosovë blihet vota, por kjo nuk bie në sy si në Shqipëri. “Në Kosovë, luhet në blloqe të ndara dhe blerja e votave nuk bie shumë në sy, si në Shqipëri.  Por meqë ata janë një cikë më të copëzuar se ne nuk bie në sy blerja e votës”, tha ai.
 
Për analistin Nazarko, serbët e Kosovës nesër mund të bojkotojnë zgjedhjet. “Nesër mund të mos ketë përpjekje të mëdha por mund të ndodhë procesi i bojkotimit dhe serbët e Mitrovicës e kuptojnë më së miri që nga sjellja e tyre varet e ardhmja në Europë”, tha ai. “Në Mitrovicë do të ketë gjithmonë probleme dhe ajo do jetë gjithmonë një gangrenë dhe autoritet kosovare nëse duam ta fitojnë vërtetë këtë zonë duhet që të investojnë”, tha në fund të fjalës së tij në studion e A1 Report, analisti Shpëtim Nazarko.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)