Teatri La Scala, Si krijohet një
vend mes Tokës e Qiellit

 Teatri La Scala, Si krijohet një<br />vend mes Tokës e Qiellit
MILANO- Ka vënde në Botë që bëjnë lidhjen mes Tokës dhe Qiellit. Në mënyrë të pakuptueshme, kur je aty, ndjehesh shumë mirë. Disa, janë bukuri të rralla të natyrës, të tjera janë vënde të krijuara nga njeriu. Duket sikur në këto vende ekzistenca bëhet njësh me Universin, ndjenjat përfshihen dhe shkrihen me gjithësinë, duke krijuar momente të paharrueshme.
Vazhdon të ruajë magjinë e të jetë një vend i tillë teatri milanez Alla Scala me mbi 200 vjet histori, repertorë të baletit klasik dhe operës, ndërthurur me artin modern të lirikës operistike.
Kemi shkruar dhe herë të tjera, - lexuesit e Shqiptarja.com tashmë i njohin, - që pjesë e këtij tempulli të kulturës botërore janë dhe shqiptarët tanë: Balerini i parë i La Scala-s Eris Nezha, violina e parë e orkestrës së këtij Teatri të famshëm, Enkelejda Sheshaj.
U rikthyem në La Scala për të parë spektaklin e fundit që mbylli sezonin e këtij viti; në skenë me Liqenin e Mjelmave ishin Eris Nezha në rolin e Princit dhe bashkëshortja e tij, ballerina e parë Petra Conti në rolin e Odetës.
Këtë herë kisha dëshirë të shihja spektaklin, por dhe të dëgjoja opinionet e të tjerëve për balerinin tonë. “Eris Nezha është një princ i lindur – më thotë një kolege italiane, ulur pranë meje në vendet e caktuara për gazetarët që aty vijnë nga e gjithë bota. – Eshtë teknikisht perfekt, por ndryshe nga shkolla ruse, është dhe interpretues shumë i mirë i lirikës. E patë përqafimin e Odetës ne Princin? (Petra Conti dhe Eris Nezha), ishte një shkrirje e mrekulleshme që nuk ndodhi te çifti tjetër i balerinëve që interpretuan të njëjtin rol”.
Fjalët e koleges italiane janë me shumë vend. Eris Nezha në çift me bashkëshorten e tij Petra Conti, përcjellin një elegancë dhe ëmbëlsi që i tejkalon kufijtë striktë të baletit klasik. Performanca e tyre sikur bëhet likuide, zbret në skenë në ndjenjat e spektatorit dhe ngrihet në qiell duke krijuar tamam atë perceptimin e një kontakti special mes Tokës e Qiellit.
 
Teatri gjithnjë plot
 
Nuk është e lehtë të gjesh bileta për një spektakël operistik apo baleti në La Scala. Për Liqenin e Mjelmave, biletat ishin plotësisht të ezauruara për të gjitha shfaqet e korrikut. Mund të gjendej ndonjë mundësi në momentin e fundit në të ashtuquajturën Biletari e Mbrëmjes, por vetëm vende nga ku shihet me shumë vështirësi. Ja, ky është misteri tjetër i La Scalës: Njerëzit, blejnë bileta edhe për vende nga ku mund të shohin vetëm 1 të tretën e skenës, ose vetëm të dëgjojnë, pa mundur të shohin asgjë.
Me krizën e përgjithshme dhe vështirësitë e mbijetesës për shumë gjigandë të kulturës në botë, La Scala po mbijeton për mrekulli. Cila është formula? Carla Vigevani është përgjegjësja e zyrës së shtypit për baletin në La Scala. Eshtë e re, shumë e sjellshme dhe e gatshme të japë çdo informacion sipas rregullave shumë të forta të këtij institucioni. Sipas saj vetëm shumë punë dhe pasion mund ta mbajnë gjallë e në majë të shumë teatrove të tjerë La Scala-n. Pas përfundimit të sezonit në fund të korrikut, pjesa më e madhe e balerinëve nisin turin e spektakleve në gjithë botën, Nga Argjentina, Brazilin ë Japoni. Dy balerinët tanë, Petra e Eris Nezha këtë herë do të bëjnë një pauze: me 14 gusht, në një lokal mes gjelbërimit të rrethinave të Tiranës, do të kurorëzojnë martesën e tyre mes miqve dhe familjarëve në Shqipëri.
 
Kush janë spektatorët e La Scala-s

 
Një vend e bën të veçantë gjithësia e karakteristikave të tij. Në La Scala të Milanos sheh të abonuarit që janë afër të 90-ve, por dhe shumë të rinj. Spektatorë të përhershëm janë artëdashës nga Franca, Austria, Gjermania, por janë shtuar dhe ata nga vendet e Lindjes. Shumë rusë të cilët vijnë familjarisht. Lindja e Perëndimi këtu bëjnë dallim që nga mënyra e veshjes: e thjeshtë dhe elegante e dyta, pompoze, e para.  “Vitet e fundit po vijnë shumë kinezë”, më spjegon përgjegjësi i informacionit në hollin e Teatrit. Në të vërtetë jashtë një gazetare nga një TV Kinez bën “stand up” për një speciale nga La Scala.
Këtë teatër, në zemër të një qyteti të veçantë siç është Milano, e bëjnë unikalë dhe ritualet e krijuara në eksperiencën e viteve: Një aperitiv në orën 19.00 me kupën me “risotto alla milanese” e një gotë shpampanjë, duke bërë thashethemet mbi paradën e tipave të ndryshëm të spektatorëve e pastaj spektakli në orën 20.00. Pas tij, të apasionuarit mund të presin në dalje balerinët apo solistët për autografin pas shfaqjes.
Për herë të parë, në këtë magji të majave të botës së artit, kontribuojnë dhe dy bashkëatdhetarët tanë.



liqeni i mjellmave
 (Ne foto: mbyllja e sezonit në Teatrin La Scala me Eris Nezhën e Petra Conti-n)

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11 gusht 2013
Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri