ARVIZU: NE KUVEND EDHE REFORMA TE TJERA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpriti gjithashtu arritjen nga Kuvendi të konsensusit për të miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me imunitetet.
“Kuvendi ka në fuqinë e tij mundësinë për të ndikuar progres-raportin e Komisionit Evropian duke gjetur marrëveshje të mëtejshme lidhur me një masë kritike reformash, përfshirë rregulloren e parlamentit si dhe ligjin për Gjykatën e Lartë”, tha ambasadori Aleksandër Arvizu.
WOLLFARTH: PERGEZIME, TE GJITHE DUHET T'I NENSHTROHEN KUSHTETUTES
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji”, tha Wollfarth.
“Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”, tha Wollfarth.
“Gjithashtu, ftoj për debate dhe konsultime të plota dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë proces”, tha ai.
SEQUI: HAP I RENDESISHEM KUNDER KORRUPSIONIT
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, mirëpriti miratimin që Kuvendi i Shqipërisë i bëri sot ligjit që amendon nenet kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve.
“Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjerë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, tha Sequi.
“Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë i inkurajoj të gjitha forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian që vlerëson përparimin e Shqipërisë”, shpreh reagimin e tij Ettore Sequi në lidhje me votimin e heqjes së imunitetit sot në Kuvend.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)