Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë kanë mbështetur kombëtaren shqiptare të Futbollit duke festuar me flamurin Kombëtar dhe Simbolet e përfaqësueses shqiptare nëpër rrugët e Shkupit dhe Prishtinës.
 
Agjencia e lajmeve Anadoly Agency raporton se kryeqyteti i Kosovës është shndërruar në një arenë festive menjëherë pas pezullimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kjo është konsideruar nga tifozeria shqiptare në ballkan si një fitore e shumëfishte, si një fitore morale dhe historike, edhe pse pa gola. Në Shkup, mijëra tifozë të mbledhur në sheshin “Skenderbe” u shpërndanë nëpër rrugët e qytetit duke festuar dhe brohoritur “Shqipëria etnike”.
 
Nga ana tjetër, mijëra tifozë kosovarë mbushën rrugët e kryeqytetit në Prishtinë duke festuar atë që e kanë quajtur si fitore të shqipërisë së bashkuar. Fishekzjarrë, valëvitja e flamujve kombëtar kuqezi, këngë, brohoritje, parakalimi i makinave me sirena në të gjitha rrugët dhe brohoritje nga ballkonet dhe ndërtesat, ishin pamjet të cilat “pushtuan” Prishtinën.
 
Ndërkaq, atmosfera festive ka mbizotëruar edhe gjatë mëngjesit të sotëm. Nxënës të shkollave të mesme kanë lënë sot mësimin për t’iu bashkuar një marshi në sheshin e qytetit. Nxënësit me uniformë shkolle dhe të mbuluar me flamuj kombëtar vrapuan drejt sheshit ‘Nënë Tereza” e ‘Zajhir Pajaziti’.
 
Marshi i tyre ishte i paralajmëruar, por në të morën pjesë me qindra nxënës, meshkuj e femra. Ndeshja e mbrëmshme është përjetuar me shumë emocion dhe ankth nga të gjithë shqiptarët e trevave shqipfolëse, veçanërisht për kosovarët, pasi luhej përballë një vendi që njihet për krime të tmerrshme ndaj popullit tyre.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)