Ndërrimi i vajit

Ndërrimi i vajit
Se dialogu për çështje teknike ishte politik, e dëshmon edhe fakti që të njëjtit politikanë që e arsyetonin dialogun e deritanishëm si teknik, tash bëjnë thirrje për dialog politik me Serbinë.

Si shkëmbim, Kosovës i premtohet sërish perspektiva evropiane, ndërkohë që integrimet evropiane për Kosovën s’janë askund. Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë në formën e një ceremonie në muajin shtator nuk është duke gjeneruar përgatitje të reja për integrimin e Kosovës në BE, por për riintegrimin e EULEX-it në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Kuçi tregoi që do “të japim një pjesë të sovranitetit të vendit tonë për mision ndërkombëtar dhe këtë pjesë të sovranitetit ka të drejtë, sipas nenit 20 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ta bëjë vetëm Kuvendi i Republikës dhe atë me 2/3 e Kuvendit”.

Kësisoj, jo vetëm që fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së shtetit nuk do të na bëjë shtet sovran, por ne do të japim pjesë të sovranitetit ende pa e pasur njëherë atë. Dhe, gjersa shtetet normale delegojnë ca sovranitet nga ajo që kanë për t’u anëtarësuar në BE, Kosova delegon ca sovranitet që edhe ashtu nuk e ka për ta integruar misionin e BE-së në Kosovë. Më mbrapsht se kaq s’besoj të jetë e mundur. Më e imagjinueshme se kaq, jo se jo.

Së fundi, zëvendëskryeministri Kuçi deklaroi se Qeveria është e gatshme për dialog politik porse “ne nuk ngarendim që të kemi takime të tilla”. Natyrisht, kjo qeveri nuk është e gatshme vetëm për qytetarin e Kosovës. Për gjithçka tjetër e këdo tjetër, e hapur është. Më herët e kishin një parakusht absurd për dialogun e mëtutjeshëm: zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme, thua se ato ishin të mira për Kosovën. Tash, e hoqën edhe këtë parakusht, porse u bënë edhe më absurdë: nuk ngarendim, thonë, ndërkohë që mu kjo deklaratë është vetë ngarendja.

Kuçi nuk e la me kaq. Pse ta lë me kaq, kur mundet edhe më keq se kaq? “Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat të paqes. E ky traktat nënkupton që të definohen raportet ndërshtetërore, të përfshihen reparacionet e luftës... nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve për të ardhmen. Traktatet janë marrëdhënie mes dy sovraniteteve, pra shtetet bëjnë traktate dhe jo të tjerët”, deklaroi ai.

Vazhdimisht na kanë thënë e na thonë që me këtë dialogun e ri, me atë marrëveshjen e re, do të bëhemi edhe ca më shumë të pavarur, edhe ca më shumë shtet, se do të dëshmohemi e konfirmohemi si shtet i pavarur, thua se akoma nuk jemi bash të tillë (sic.). Mirëpo, më shumë sesa vulosje të shtetësisë e të pavarësisë gjithsesi kemi përforcim të dyshimeve dhe dilemave për këto, kemi rritje të brishtësisë së pavarësisë dhe zvogëlim të perspektivës për sovranitet.

Në anën tjetër, për çfarë traktati paqeje me Serbinë flet Kuçi, kur Kosova s’ka ushtri? Paqe bëjnë ushtritë. Traktat i Paqes ishte Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë të kryesuar nga gjeneralët e Milosheviqit. Madje edhe për një traktat të ri të paqes me Serbinë, së pari duhet që FSK-në ta bëjmë ushtri, gjë që sërish nga kthen te teza e drejtë që sovraniteti nis e bëhet nga brenda dhe se sovraniteti merret dhe fitohet e kurrsesi nuk dhurohet.

Kuçi ka mundur ta lë me kaq, besoj. Mirëpo jo: zëvendëskryeministri Kuçi vazhdon tutje: “kudo që përfaqësohet Kosova si shtet, ne nuk kemi turp të kemi takime me askënd. Të tjerët duhet të ndihen keq në raport me ne.” Qenka edhe i paturpshëm Kuçi?! Çudi, nuk e kemi ditur. Mbase nën trysninë e njerëzve që këtij i duket se mendojnë se Kuçit (i cili qe takuar me Borislav Stefanoviqin më 12 maj 2011) i vjen turp që të takohet me zyrtarët e Serbisë, për ta demaskuar këtë përshtypje të rrejshme, Kuçi del e thotë se, në të vërtetë, nuk i vjen turp!

Shpresoj që është e nënkuptueshme që kur Kuçi deklaron se nuk i vjen turp për një gjë të caktuar, kjo do të thotë që nuk i erdhi turp as kur e sqaroi këtë mungesë turpi, apo jo? Zëvendëskryeministrit duket se i vjen turp vetëm në rast se do t’i vinte turp, porse ky nuk është rasti, siç na e rrëfeu vetë ai. Në anën tjetër, Kuçi duhet ta dijë që të tjerët nuk po ndihen keq në raport me ne. Përkundrazi, kjo qeveri e korruptuar dhe e shantazhuar me në krye Thaçin, nga të-tjerët-që-do-të-duhej të-ndjenjë-keqardhje-për-ne po shihet si një shans unik për aksham pazar në kurriz të Kosovës.

Së paku Kuçi ka mundur ta lërë me kaq. E, megjithatë jo. Kur e pyetën gazetarët mbi atë se a ka pasur trysni ndërkombëtare mbi qeverinë për të hyrë në bisedime politike me Serbinë, Kuçi ka thënë se “presioni i BE-së dhe ShBA-së në 20 vjetët e fundit ka qenë pozitiv dhe assesi negativ për Kosovën”! Kjo i bie që pas presionit ndërkombëtar po e kuptojmë që ata e kanë jo vetëm për të mirën tonë, por edhe se ata e kanë mirë. Sa më shumë presion i tyre, aq më shumë kuptim për ne, apo jo? Me kësi qeveritarësh, çfarëdo minimumi i kontrollit të dëmit bëhet i pamundur.

Dialogu me Serbinë e ka formësuar qeverinë aktuale. Në vjeshtën e vitit 2010, në takimet e kryeministrit Thaçi me baroneshën Ashton dhe këshilltarin e saj Cooper, u bë zotimi para BE-së për dialogun që pasoi me nëntë raunde ku Kosova mbahej në këmbë e mbështetur mbi litarët në qoshe të ringut.

Këto ditë, rinisja e këtij dialogu, kësaj radhe edhe publikisht i quajtur politik, synon ta formësojë edhe qeverinë e ardhshme. Tendenca është që zgjedhësit të legjitimojnë të zgjedhurit. Këta të zgjedhurit janë të përshtatshmit e dialogut dhe për dialogun. Nuk bëhet fjalë pra për qeveritarë që e zgjedhin dialogun, por për qeveritarë që përzgjidhen nga dialogu. Të përshtatshmit ftohen. Të përshtatshmit nxehen. Të përshtatshmit përfshihen.

Thaçi e Haradinaj mund të mos e duan subjektivisht njëri-tjetrin, porse ata që i shohin si objekte këta dy, i duan ata bashkë. Në njërën anë, shitja e PTK-së, KEK-ut, Trepçës, vjedhja e buxhetit edhe me një autostradë qindramilionëshe, falja e qymyrit përmes projektit ’Kosova e Re’ etj.etj., kanë nevojë për koalicion të ri qeveritar.

Në anën tjetër, marrëveshja ‘historike’ me Serbinë përmes koncesionit ’përfundimtar’ për veriun, gjersa në pushtet në Beograd është kthyer koalicioni nazi-fashist, mendohet që arrihet duke i vënë Thaçin e Haradinajn bashkë në këtë anë të tryezës. Pra, Thaçi e Haradinaj madje edhe mund të mos e duan këtë gjë, porse ata që i shohin këta të dy si figura shahu, këtë synim kanë.

Me fjalë të tjera, kjo makineri e privatizimit neoliberal dhe e pazareve me Serbinë ka nevojë për lubrifikant të ri. Kombinimi Thaçi-Haradinaj do të shërbente si vaj i ri për makinën e vjetër.

E, ndoshta edhe ndërrimi i vajit ka nevojë për ndërrimin e vajit. Prandaj duket që e kthyen Kuçin në qeveri. Kosova është bërë vend ku s’të lënë as të japësh dorëheqje... 

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Vjosa Osmani mbrojti sot, urat që ndërtoi perëndimi dhe jo urat që po shkatërron Albini

Spahiu: Vjosa Osmani mbrojti sot, urat që ndërtoi perëndimi dhe jo urat që po shkatërron Albini