KARAKAS - Angel Sanguino, (foto) një teknik elektronik nga Karakas, në Venezuelë, kishte humbur krahun e tij gjatë në një aksident me motor, i përplasur nga një makinë e cila po merrte pjesë në garë ilegale, duke ecur me shpejtësi shumë të madhe.

Pas këtij aksidenti, doktorëve iu desh që t`i prisnin krahun e plagosur, duke mos pasur mundësi tjetër rekuperimi. Pas kësaj, 33-vjeçari, u gjend përpara një disfate, pasi kështu nuk do të kishte mundësi të çonte përpara punën e tij.

Mjekët i këshilluan të pranonte faktin që tashmë do të ishte vetëm me një dorë dhe të gjente mundësi të tjera pune. 

Por Sanguino, vendosi të mos dorëzohej edhe prej faktit se së shpejti ai do të bëhej baba.

Pasi doli nga spitali, duke shfrytëzuar eksperiencën e punës së tij në fushën e elektronikës ai filloi të realizonte vetë një krah protezë.

Ai e filloi realizimin e këtij krahu protezë, me qëllim që të kishte mundësi të rikthehej dhe të vazhdonte punën e tij, për të siguruar të ardhura ekonomike për të mbajtur familjen e tij.
“Gjatë kohës që rrija në spital dhe më pas në shtëpi, fillova të dizenjoja një protezë të përshtatshme për punën time. Kjo është proteza që realizova, apo vepra ime e artit, siç e quaj unë. “- thotë Angel Sanguino:

Me ndihmën e xhaxhait të tij, ai arriti të realizonte një krah robotik, i cili është i përbërë nga disa sensorë dhe kryen lëvizjet nëpërmjet një klavikule. Krahu i realizuar prej tij, i krijon mundësinë që të jetë më autonom, duke mos pasur nevojë për praninë e dikujt në çdo rast.

Ky krah, është cilësuar si krahu i parë i këtij lloji, për të cilin, tekniku i ka kushtuar më tepër rëndësi funksionit të tij dhe jo estetikës. Por 33-vjeçari, është shprehur që shumë shpejt do të krijojë një krah tjetër më natyral.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)