Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kontrolleve të ushtruara me urdhër të SPAK në vilën e biznesmenit shqiptaro-amerikan-izraelit Ron Yeffet në Pëllumbas, pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes kompanisë 'Kayo'. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se mazhoranca po shmang diskutimin e çështjes, pasi sipas tij, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator 2026, shumica parlamentare nuk dha dakordësinë për kërkesën e opozitës, për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore “KAYO”.

Bardhi kujton gjithashtu se afati ligjor për shqyrtimin në Kuvend të çështjes përfundon më 5 tetor 2026, por sipas tij, PS nuk është e gatshme që ta bëjë këtë diskutim të hënën. Kjo shmangie nga diskutimi, sipas Bardhit vjen pasi është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë “KAYO” sh.a., dhe mazhoranca sipas tij duhet t’i shmanget kesaj teme gjatë këtyre ditëve.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e cilëson këtë veprim si shkelje të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese ndaj opozitës. Bardhi i kërkon Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, të garantojë funksionimin e rregullt të institucionit dhe të drejtat e pakicës parlamentare.

Reagimi i Bardhit:

Për më shumë se tre javë, opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së kompanisë shtetërore “KAYO”. Mazhoranca nuk dha dakordësinë për ngritjen e këtij Komisioni në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator 2026. Ligji përcakton se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, çështja duhet të kalojë për diskutim në seancë plenare jo më vonë se 15 ditë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos, me dakordësinë e Niko Peleshit, që kjo çështje të shqyrtohej në seancë plenare më 5 tetor 2026 — pikërisht ditën e fundit të afatit.

Por edhe këtu, mazhoranca zgjedh ta shtyjë diskutimin, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme. Kjo për shkak se, është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë “KAYO” sh.a., dhe Kuvendi duhet t’I shmanget kesaj teme këtë të hënë. Në fakt, në këtë moment, kur transparenca parlamentare do të duhej të ishte më e madhe se kurrë, Kryetari i Kuvendit zgjedh të shmangë një çështje me rëndësi publike dhe, të mos respektojë detyrimet ligjore që lidhen me shqyrtimin e kërkesës për Komision Hetimor.

Kur Kryetari i Kuvendit zgjedh që, përballë një çështjeje me interes të lartë publik, të mos zbatojë detyrimet që burojnë nga ligji, lind një pyetje themelore: si garantohet funksionimi demokratik i institucioneve? Kur në Kuvendin e Shqipërisë injorohen të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare, lind një tjetër pyetje: cili është realisht roli i opozitës në Parlament? Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dënoj me forcë shkeljen e ligjit nga Kryetari i Kuvendit dhe i kërkoj të zbatojë ligjin dhe të garantojë të drejtat kushtetuese të opozitës.

Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton. Niko Peleshi, duhet të dijë, që nga përgjegjësia personale e shpëton respekti ndaj ligjit, dhe jo zbatimi i urdhrave të verbër të Taulant Ballës apo Edi Ramës, për kalkulime ditore politike.


Lajmi kryesor:

Audiopërgjimet e Ahmetajt për trafik armësh, SPAK kontroll te biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe te Kayo, sekuestron dokumente te Ministria e Mbrojtjes