Është ndarë nga jeta këtë 1 maj, në moshën 96-vjeçare, Abaz Hoxha, një nga emrat më të njohur të studimit të kinematografisë shqiptare. Hoxha do të përcillet për në banesën e fundit në Tufinë.

I konsideruar si një nga zërat më të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar, ai i kushtoi gjithë jetën studimit dhe dokumentimit të kinemasë, duke lënë pas një pasuri të madhe botimesh dhe analizash. Vetëm pak muaj më parë, në dhjetor 2025, ai u nderua me Urdhrin e Skënderbeut. Në atë moment, Hoxha theksoi se vlerësimi nuk ishte vetëm për të, por për gjithë kinematografinë shqiptare.

“Këtë nder e konsideroj si një vlerësim që i bëhet vetë kinematografisë shqiptare, të cilës i kam kushtuar gjithë jetën time”, shprehej ai. Sipas tij, filmi shqiptar ka krijuar një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe ka nxjerrë figura të mëdha të regjisë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika dhe Xhanfise Keko, si edhe aktorë të jashtëzakonshëm.

Hoxha mbronte fort idenë se kinemaja shqiptare ka pasqyruar realitetin dhe historinë e vendit, duke kundërshtuar zërat që e cilësonin atë thjesht propagandë.

Abaz Hoxha është autor i 23 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore, si dhe hartues i Enciklopedisë së parë të Kinematografisë Shqiptare. Një figurë që la gjurmë të forta në kulturën dhe studimin e filmit në vend.