Më shumë se sa një nderim për atë vetë, Urdhërin e Skëndërbeut, ai shikon si një vlerësim për kinematografinë, fushën së cilës ai i kushtoi gjithë jetën.
“Këtë nder e konsideroj si një vlerësim që i bëhet vetë kinematografisë shqiptare, të cilës i kam kushtuar gjithë jetën time. I kushtohet atyre artistëve të mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë tonë, që krijuan një kulturë të re nga e para, në kushte shumë të vështira, pa gjetur asnjë traditë paraardhëse.”, tha Hoxha gjatë marrjes së vlerësimit.
Sipas Hoxhës, kinematografia shqiptare ka prodhuar një sasi të madhe filmash që mbeten pjesë e historisë së kombit dhe ka nxjerrë figura të shquara të regjisurës, si: Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Xhanfise Keko e të tjerë, si dhe një numër të madh aktorësh të niveleve botërore.
“Veçanërisht, në filmat shqiptarë kanë interpretuar aktorë të jashtëzakonshëm, që nuk i ka bota, jo vetëm Shqipëria. Nga aktorët e mëdhenj si Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka e me radhë, u krijua një traditë e vërtetë aktrimi.”, tha historiani i kinemasë.
Sipas studiuesit, kinematografia shqiptare ka regjistruar historinë e popullit, ndërsa shton se “nuk është e vërtetë ajo që thonë disa nihilistë se kinemaja jonë ka bërë propaganda”.
“Ne kemi regjistruar realitetin e kohës, kur një popull i tërë u ngrit në luftë për t’u shpëtuar robërisë fashiste e naziste. Nuk kemi krijuar heronj fantastikë. Në filmat tanë janë heronjtë e vërtetë të luftës.”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai nuk lë pa përmendur edhe muzikën e mrekullueshme të filmave, ndërsa kujton se në një universitet në Venecia, pas shfaqjes së “Dimri i fundit”, studentët filluan të fishkëllenin melodinë e njohur të filmit.
Abaz Hoxha, tanimë 95 vjeç, është autor i 23 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre, si dhe hartues i Enciklopedisë së parë të Kinematografisë Shqiptare.
Komente







