Ata ishin katër dhe njiheshin si katër parodistët legjendarë të Vlorës. Prej ditës së sotme, do të jenë vetëm dy, pasi një prej tyre, Mane Lumani, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.

Ndarja e tij nga jeta erdhi gati shtatë vjet pas vdekjes të njërit prej tyre, parodistit Muhamet Liko.

Aktori vlonjat i njohur i humorit, Mane Lumani la gjurmë të pashlyeshme në botën e humorit dhe të skenës shqiptare.

Që prej vitit 2004, ai përballej me probleme shëndetësore dhe nuk fliste më, pas një ndërhyrje kirurgjikale në fyt, ku iu hoqën të gjitha kordat, pas një mase tumoriale të hequr prej aty.

Mane Lumani nisi karrierën e tij artistike si aktor amator në vitin 1974 në ndërmarrjen e Ullishtës, ku spikati për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të imituar figura të ndryshme.

Aftësia e tij për të interpretuar role komike i dha atij një vend të veçantë në zemrat e publikut.

Formimi i grupit “4 parodistët e Vlorës” ishte një moment kthese për humorin shqiptar.

Mane Lumani, së bashku me Agron Hoxhën, Afrim Agalliun dhe Muhamet Likën krijuan një stil të veçantë të humorit shqiptar.

Paroditë e tyre të mprehta, me satirë dhe ironi ishin edhe një kritikë për shoqërinë dhe politikën.