Ndahet nga jeta këngëtari i
njohur shqiptar 'Doktor Flori'

TIRANE - Këngëtari i famshëm Floran Kondi, i njohur për mbarë publikun shqiptar si Doktor Flori është ndarë nga jeta gjatë ditës së sotme. A1 REPORT mësoi se këngëtari i njohur i muzikës shqiptare kishte shfaqur shqetësime shëndetësore dhe u dërgua i pajetë në spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë.

Shkak i vdekjes së këngëtarit dyshohet një takikardi. Sakaq, qendra spitalore Universitare "Nënë Tereza" pritet të kryejë ekspertizën, nëse familja e tij do të japë dakordësinë, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike.

Doktor Flori u nda nga jeta në një moshë të re, ndërsa ka lënë pas dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë të vogël, i cili kishte vetëm disa javë që kishte lindur. Shtëpia e prindërve të Doktor Florit ka hapur dyert për të pritur ngushëllimet nga miqtë e të afërmit, por edhe nga gjithë ata që e njohën këngëtarin.
 
Doktor Flori është krijues i grupit muzikor mjaft të njohur dhe të pëlqyer nga të rinjtë “West Side Family”. Ndërsa pas shkëputjes nga miqtë e tij Landi dhe Miri, doktor Flori ka kënduar si solist por nuk kanë munguar edhe duetet, ku më të suksesshmit janë ata me Aurela Gaçen dhe Ermal Mamaqin.

Dr. Flori para disa vitesh i këndoi Tiranës dhe fatkeqësisht ndërroi jetë ditën e çlirimit të Kryeqytetit. "Tirona” u kthye në hit në ato vite, kur erdhi në bashkëpunim me kryeministrin Rama në atë kohë, kryetar i Bashkisë së Tiranës.

doktor flori

Kush ishte Doktor Flori
Doktor Flori njihet për daljet e tij në publik që në kohë të hershme. Ai është shfaqur 12 vjet më parë si pjesë e grupit “West Side family”, në vitin 2002 me këngën “Mesazh”, e për të vijuar me një sërë këngësh mjaft të suksesshme si: “Hou Cike”, “Nëse mundesh” “E gjithë bota jemi dy”, e shumë këngë të tjera.
 
Këngët e tij kanë trajtuar gjithmonë probleme të mëdha sociale, siç është droga, në këngën “Mos pi mall, bëj palestër”, bashkëpunim me mikun e tij Ermal Mamaqi.



 
Ndërsa Doktor Flori, si pjesë e grupit mjaft të njohur “West Side Family” do të mbahet mend edhe për bashkëpunimin me ish-kreun e Bashkisë së Tiranës dhe ish-kreun e opozitës, tashmë kryeministër, Edi Rama. Kënga e parë e debutuar nga ta, ishte “Tirona”, prej nga doli edhe shprehja “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë”.




Më pas ky bashkëpunim u pasua në vitin 2009 me këngën “Çohu”.
 

 
Pas këtyre dy bashkëpunimeve me Ramën, vitin e kaluar Dr Flori prezantoi për publikun një këngë që kritikonte kryeministrin Rama, në kohën kur u ngjiz edhe koalicioni PS –LSI.



Gjithashtu Dr. Flori ka qenë pjesë e një video sensibilizuese, e cila thekson funksionin dhe rëndësinë e policisë. Nëpërmjet klipit “Së bashku” të kënduar prej tij dhe këngëtares Mariza Ikonomi, ku kanë marrë pjesë edhe personazhe të tjerë të njohur.



Këngëtari me origjinë nga Kuçova, pas ndarjes nga grupi “West Side Family” e ka vijuar karrierën e tij si solist. Ai ka qenë edhe fitues i edicioni të tretë të reality show-t “Vip Shpija” në Kosovë, fitore që siç e cilësoi ai erdhi pikërisht sepse ishte konkurrenti më i sinqertë.
 
Video/ Bashkepunimi i Dr.Florit me Ermal Mamaqin: Do te vij te dielen


Video/ Bashkepunimi i Dr.Florit me Aurela Gaçen: Origjinale
/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA

Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA