Ishte i hidhur, lajmi i ndarjes nga jeta të studiuesit pasionant Mentor Quku, i cili i kushtoi jetën studimeve rreth figurës së Ndre Mjedës. Pas një sëmundje të pashërueshme, dje, mjedologu i njohur, shenjoi stacionin e fundëm në këtë jetë. Pengu i ditëve të fundit ishin një grup dokumentesh që sapo i kishin rënë në dorë nga arkivat e Jezuitëve në Gallarate, Itali. Dokumentet ishin mjaft të rëndësishme për të sqaruar e hedhur dritë mbi një skandal, siç e quanin, mjaft të përfolur të rinisë së priftit shkodran.
Mjedologu Mentor Quku, edhe pse i sëmurë dhe pothuajse i pamundur, i punoi dhe i përgatiti për botim këto dokumente, të cilat ju prezantuan lexuesit të rilindasit në tre numra të tij gjatë muajve prill - maj të këtij viti. Me këtë gjest ai e sfidoi sëmundjen e tij dhe i dha rrugë këtij pengu, duke e plotësuar më së miri portretin e Mjedës dhe duke analizuar përmes këtyre dokumenteve të reja arsyet e një rebelimi të hershëm të Mjedës ndaj eprorëve jezuitë.
Për lexuesit, të cilëve ai iu dhuroi rreth 14 vepra studimore, dhe në shenjë nderimi për të, po sjellim një profil të këtij studiuesi të palodhur.
* * *
Mentor Quku ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. U arsimua në Shkollën Pedagogjike "Shejnaze Juka" në Shkodër (1951-1954), kurse studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe pastaj në Universitetin e Tiranës (1960-1963).
Ka punuar mësues në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit (1954-1957), në shkollën e mesme "Xheladin Fishta" në Shkodër (1961-1963), në shkollën e Barbullushit (1965-1991), në shkollën e Bahçallekut (1991-1992). Pêr veprimtarinë e tij pedagogjike, didaktike e mësimore është nderuar me medaljen "Mësues i merituar".
Si drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ai ka organizuar, drejtuar dhe botuar, gjashtë seminare ndërkombëtare me titull "Shkodran në shekuj", si dhe ka drejtuar revistën "Kumtari".
Mentor Quku është autor i shumë artikujve dhe studimeve në fusha të ndryshme të dijes, si metodikë e mësimdhënies, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji moshore, histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi për fëmijë, letërsi politike, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ku kontributi i tij ka qenë gjithmonë i mirëpritur.
Tema qendrore e kërkimeve dhe e studimoreve të Mentor Qukut mbetet figura e Ndre Mjedës, për të cilën ai ka punuar 30 vjet dhe ka botuar një kolanë studimore shumëvëllimshe. Për t'u dokumentuar rreth jetës e veprës së Mjedës, ai ka shfrytëzuar arkivat e të gjitha vendeve ku Mjeda ka studiuar e punuar, ose që kanë ruajtur dokumentacion për Mjedën, si psh. Arkivi i Propaganda Fides, Arkivi i Jezuitëve Romë, fondi Peters Mahringer-Fonds (Austri), arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës, si edhe arkiva e bibioteka të shumta në Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë, apo kuvendet françeskane e jezuite të Bosnjes e të Kroacisë.
Botimin e plotë të kolanës studimore "Mjeda", autori Mentor Quku e përfundoi më 2013, me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kjo kolanë, e botuar nga Shtëpia Botuese "Ilar" në vitet 2004-2013, paraqitet me këto vëllime:
- Mjeda 1 (1866-1888): RINIA, fq. 642, 2004
- Mjeda 2 (1888-1899): ALBANOLOGU, fq. 642, 2006
- Mjeda 3 (1899-1912), i përbërë nga dy libra:
- ALFABETI, fq.680, 2007
- LIRIA, fq. 766, 2008
- Mjeda 4 (1912-1925): IDENTITET, fq. 634, 2009
- Mjeda 5 (1925-1937): GJUHETARI, fq. 740, Tiranë, 2010
- Mjeda 6, i përbërë nga dy libra:
- BIBLIOGRAFIA (e Mjedës), fq. 325, Tiranë 2012
- BIBLIOGRAFIA (mbi Mjedën), fq. 730, Tiranë 2012
- Mjeda 7: BASHKEKOHESIT, fq. 494, Tiranë 2005
- Mjeda 8: ALBUM, fq. 196, Tiranë 2010
- Mjeda 9, Përmbledhje, fq. 254, Tirane, 2013.
- Prof Mustaf Dervishi, Tirane, 2013.
Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011).
Së fundi atij iu akordua edhe titulli " Profesor Nderi", i Universitetit të Shkodrës. Ndërsa ndarja e ndonjë çmimi nga Ministria e Kulturës, do ta kurorëzonte me dinjitet të merituar veprimtarinë dhe gjithë jetën e këtij studiuesi të palodhur e të suksesshëm.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)