“Me mendje, zemër dhe gishta”, kështu rrëfente Hetem Qerimaj, artisti nga Përmeti, se arriti ta shprehte muzikën aq bukur, saqë të bënte për vete shumë dashamirës të violinës popullore.
Sot zemra e tij instrumentistit unik shqiptar, ndali së rrahuri në moshën 88-vjeçare, por çdokush që e ka dëgjuar kabanë e tij, e ruan të gjallë kujtimin e atyre tingujve. “Zoti e pranoftë në parajsë” shkruan i biri Fatosi, teksa jep lajmin e hidhur, për të atin. Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për mjeshtrin e violinës popullore duke shkruajtur "Lamtumirë" në një postim në Facebook, ku publikoi fotografinë e Hetem Qerimaj.
Hetemi, “Harku i Triumfit të Qerimajve”, siç e quajtën në koncertin e përvjetorit të tij të 85-të, e la muzikën të trashëguar në 9 artistë e 3 breza.
Lidhja e tij me muzikën nis që në moshën 5-vjeçare kur mori për herë të parë mandolinën në dorë. Do të shoqëronte të atin Brahimin tek luante në dasma në Mallakastër dhe interpretimi në violinë do të vinte edhe si një përmbushje e dëshirës së tij, duke u konsoliduar më tej vit pas viti
Virtuozi i violinës e krijoi kabanë e parë për violinë në moshën 22-vjeçare. Arriti të impresiononte me interpretimin e tij udhëheqësit e diktaturës, saqë Mehmet Shehu i vendosi emrin si pjesë e Filarmonisë Shqiptare ku luajti për 5 vite. Më tej iu bashkua skenës prestigjiose të Teatrit të Operas. Pjesën më të madhe të veprimtarisë u punësua pranë Orkestrës së Ansamblit të Ushtrisë ku iu dha mundësia të interpretonte në botën Aziatike, ish Bashkimin Sovjetik etj.
Hetem Qerimaj luajti violinën popullore nga skenat e mëdha në ato të improvizuarat. Muzikën tironse e mbante në zemër edhe pse luante melodi nga të gjitha trevat, ballkanase e më gjerë.
Do ta mbajmë mend edhe për interpretimin e tij në filmin “Dasma e Sakos” të regjisorit Vladimir Prifti, të realizuar në ’98-ën. Hetem Qerimaj nuk e ndau violinën prej vetes deri në vitet e fundit të jetës së tij.
I qofte i lehte dheu mjeshtrit Hetem Qerimaj. Kabaja e tij per violine eshte thesar ekskluziv ,qe i mbetet Shqiperise tone. M'e eshte fiksuar tek filmi "Gjeneral gramafoni" bashke me ustallaret e tjere, ne ate interpretim mbreselenes.
Përgjigju