Ndarja nga jeta e ambasadorit Nesip Kaçi shënon humbjen e një personaliteti të jetës publike shqiptare, i cili për disa dekada rresht i shërbeu vendit me përkushtim, kulturë dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie qytetare. Ai i përkiste atij brezi intelektualësh që nuk kërkuan kurrë protagonizëm, por që lanë gjurmë në fushën e diplomacisë, gazetarisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Lindur në Gjirokastër më 7 qershor 1939, zoti Kaçi i përkiste brezit të diplomatëve që u formuan mbi kulturën e fjalës, gjuhës së saktë dhe etikës së  shërbimit publik. Formimi i tij filologjik dhe përvoja e hershme në përkthim dhe gazetari krijuan bazën e një profili profesional dinjitoz, që më pas do të shfaqej qartësisht në shërbimin diplomatik.

Karriera e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e nisur në vitin 1976, përkon me një nga periudhat më komplekse të politikës së jashtme shqiptare. Gjatë viteve, Nesip Kaçi mbajti detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në disa vende strategjike, duke përfaqësuar Shqipërinë në Rumani, Algjeri dhe Turqi.

Ne që e njohën nga afër e kujtojmë Nesip Kaçin si një diplomat pa zhurmë, por me peshë, i cili e ushtronte profesionin me qetësi, përulësi dhe respekt për tjetrin. Ai nuk ishte i prirur ndaj retorikës së tepruar apo gjesteve formale boshe. Përkundrazi, besonte te dialogu i matur, te fjala e menduar mirë dhe tek ndërtimi i marrdhenieve të qendrueshme.

Në Turqi, ku shërbeu si ambasador, z. Kaçi u vlerësua për korrektësinë, seriozitetin dhe aftësinë për të ruajtur ekuilibra diplomatikë në një rajon me ndjeshmëri të lartë gjeopolitike. Koleget e huaj dhe ne homologët e tij e kujtojnë si një bashkëbisedues të kulturuar, të respektueshëm dhe gjithnjë të gatshëm për dialog konstruktiv.

Përtej funksioneve zyrtare, karakteri njerëzor i Nesip Kaçit ishte ndoshta tipari që e veçonte më shumë. Ai ishte njeri i thjeshtë në sjellje, i matur në gjykim dhe i përkushtuar ndaj vlerave të ndershmërisë dhe korrektësisë. Nuk e shihte diplomacinë si karrierë personale, por si mision përfaqësimi dhe përgjegjësi morale ndaj shtetit.

Edhe pas përfundimit të shërbimit diplomatik, pas vitit 1993, ambasadori Kaçi mbeti i lidhur me botën intelektuale dhe reflektimin historik. Bashkautorësia e monografisë “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, botuar në vitin 1997, është dëshmi e interesit të tij të vazhdueshëm për historinë, identitetin dhe rrënjët kulturore shqiptare.

Kontributi i tij është vlerësuar  zyrtarisht me dy dekorata shtetërore, një për gazetarinë dhe një për diplomacinë, duke reflektuar dy dimensione thelbësore të jetës së tij profesionale: fjalën e shkruar dhe përfaqësimin shtetëror.

Nesip Kaçin  do t'a kujtoj si një diplomat karriere të heshtur, por të fortë në parime, një njeri që i shërbeu shtetit pa bujë, por me integritet. Nuk ngriti zërin, por u dëgjua. Në kujtesën time si  mik dhe  koleg, ambasadori do të mbetet shembulli i diplomatit që vuri gurin e tij të rëndë në diplomacinë shqiptare te viteve 1970 - 1990.