Ndahet nga jeta Rustem Peçi, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ! Ruçi-Meta-Balla: Mishërim i patriotit të madh

Ndahet nga jeta Rustem Peçi, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ! Ruçi-Meta-Balla: Mishërim i patriotit të madh

Rustem Peçi

Kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Rustem Peçi është ndarë nga jeta.

Lajmin e ka bërë të ditur në Facebook, Kryesia e Komitetit Kombëtar dhe familjarët. Homazhet e nderimit për përcjelljen e tij do të bëhen sot, datë 06.04.21 nga ora 14-15 tek Muzeu Historik Kombëtar. Varrimi do të bëhet në orën 16 duke u nisur nga Muzeu.

Njofim i familjes Peçi dhe i Kryesisë së Komitetit Kombëtar: “Sot, datë 06.04.2021, në orët e para të mëngjesit, mbas një gjendjeje të rëndë shëndetësore, pushoi së rrahuri zemra e shokut Rustem Shefqet Peçi!

Rustem Peçi ishte Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ – Nderi i Kombit! Shoku Rustem Peçi ishte ushtarak kariere, i kompletuar në arsimimin dhe kualifikimin e tij profesional. Gjatë jetës së tij aktive ai ka kryer me sukses e dinjitet detyra shumë të rēndësishme drejtuese në strukturat e ushtrisë!

Shoku Rustem gëzonte statusin e Veteranit të LANÇ. Ndarja e tij nga jeta la në pikëllim familjen e tij biologjike, por edhe miq e shokë, bashkëpunëtorë të panumërt në Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, të cilën e drejtoi me perkushtim ideal e dinjitet!
KRYESIA E KOMITETIT KOMBËTAR”

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e ka quajtur mishërim të vlerave të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist Rustem Pecin.

 “Me trishtim të thellë mora vesh lajmin nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar.

Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në  Luftën Çlirimtare si pjestar i rinisë antifashiste.  Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar. Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun.  Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Në lidhje me ndarjen nga jeta të z. Peçi ka shprehur ngushëllimet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla shkruan se Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.

"U prehsh në paqe miku ynë i vyer Rustem Peçi, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ! Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.

Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen. Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ", shkruan Balla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:34
Ndarja nga jeta e Rustem Peçit, Ilir Meta: Iku në prag të 7 prillit, ditës së trishtë për historinë tonë

Për ndarjen nga jeta të ish kryetarit të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Rustem Peçi, ka shprehur ngushëllimet edhe Presidenti Ilir Meta.

"Me shumë dhembje e trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të antifashistit, patriotit, ushtarakut dhe veteranit, Kolonel Rustem Peçi. I edukuar me dashurinë për Atdheun, që në moshë shumë të re ai u aktivizua për Çlirimin e Shqipërisë, për t’i shërbyer me përkushtim vendit pas Luftës, në të gjitha detyrat e larta shtetërore me të cilat u ngarkua dhe për të vijuar, si Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, me kontributin e tij të shkëlqyer për edukimin e gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit, si dhe me mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste.

Kam pasur fatin ta njoh nga afër punën dhe angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe nuk mund të mos shpreh hidhërimin e madh të ndarjes së tij nga jeta në prag të përkujtimit të 7 prillit, kësaj dite të trishtë për historinë tonë, por edhe nderimi për nisjen e rezistencës heroike të ushtarakëve patriotë. Duke ndarë dhembjen me familjen Peçi, miqtë dhe të gjithë anëtarët e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera. Patrioti dhe edukatori ynë antifashist Rustem Peçi do të kujtohet përgjithmonë me nderim, respekt dhe mirënjohje", ka shkruar Meta.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sejdi: 07/04/2021 00:10

    U përkujtoftë përjetësisht Atëmemëdhetari Rrustem Peçi! Jeta dhe vepra e tij, ishin dhe mbeten shembull për brezat!

    Përgjigju
  • LORA: 06/04/2021 16:14

    I qofte i lehte dheu i Shqiperise tone burrit fisnik dhe patriot Rustem Peci.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë