TIRANE, 7 Shkurt/ATSH/-Ndahet nga jeta në moshën 70 vjeçare kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës Sali Kelmendi. Mësohet se Kelmendi ndërroi jetë pas një ataku kardiak në banesën e tij në Tiranë.
Bashkia e Tiranës njofton se homazhet në nderim të ish-kryetarit të Bashkisë, Sali Kelmendi, i cili u nda sot nga jeta, do të zhvillohen ditën e nesërme, nga ora 13.00-15.00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Sali Kelmendi lindi më 31 maj të vitit 1947 në Tiranë dhe ishte me profesion inxhinier.
Në fillim të viteve '90 ka punuar në Ministrinë e Arsimit në të cilën mbulonte arsimin profesional. Në periudhen e lëvizjeve të medha, në vitet 90-91 u dallua si një pjesmarrës aktiv.
Pasi zgjidhet si kryetar i sindikatës së pavarur për Ministrinë e Arsimit merr pjesë në themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Në vitin 1992 emërohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist dhe më pas në zgjedhjet e korrikut 1992 për pushtetin lokal, zgjidhet Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gjatë viteve të para të qeverisjes së qytetit nga Sali Kelmendi u realizua privatizimi i banesave, ndërrmarrjeve shtetërore, zhvillimi i ekonomisë kapitaliste në kryeqytet, zhvillimi i industrisë së ndërtimit, strehimi i të pastrehëve si dhe i të përndjekurve politikë, restaurimi i një sërë veprash publike etj.
Gjatë periudhës kur Sali Kelmendi ka drejtuar Bashkinë e Tiranës Partia Demokratike ka fituar 5 zgjedhje rresht në këtë qytet përkatësisht zgjedhjet e 22 marsit 1992, zgjedhjet lokale të korrikut 1992, referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, zgjedhjet e 26 Majit 1996, zgjedhjet lokale në tetor 1996. Në këtë mënyrë ai është i vetmi që i ka sjellë fitoren kësaj partie në këtë qytet. Pas largimit të tij, Bashkia e Tiranës u fitua nga Partia Socialiste./a.g/









