Këngëtari i njohur nga Kosova, Shemsi Krasniqi, i njohur për të gjithë si Shemi, i grupit të famshëm “Ilirët”, është gjetur pa jetë në shtëpinë e tij në Dragodan, këtë të hënë në orën 15.00.

Vokalisti legjendar ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, njeriu që i dha shpirt këngës që u kthye në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”, këngë e vitit 1998, e njohur si një himn i dytë për shqiptarët.

Ndarja nga jeta e Shemsi Krasniqit në moshën 64-vjeçare ka lënë një boshllëk të madh te kolegët dhe adhuruesit e shumtë, që u rritën me këngët e grupit “Ilirët”.

Sipas policisë së Prishtinës, vdekja e vokalistit të njohur, u konstatua nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Dyshohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një sulm në zemër duke lënë pas një trashëgimi të pasur për muzikën shqiptare.

Në karrierën e tij të gjatë, Shemsi Krasniqi solli edhe këngë të tjera të suksesshme si “Unë jam Shqipe nga Kosova”, “Gajdexhiu”, “Minire moj motër”, si dhe shumë projekte në bashkëpunim me Ganimete Abazi – Ganja, të cilat e vulosën vendin e tij në muzikën popullore shqiptare.