Prej dy ditësh në pikat doganore nuk është lejuar të hyjë asnjë makinë e prodhuar para vitit 2009. Sipas ligjit të hyrë në fuqi prej së dielës, autoveturat duhet të përmbushin “normën 4” sipas emetimit të gazrave, standard ky i vendosur nga Bashkimi Europian. Report Tv kontaktoi me Drejtoreshën e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, Klodiana Marika, e cila theksoi se afati për të regjistruar dhe targuar makinat e importuara përpara këtij vendimi kanë afat deri më 1 mars 2019.

Problemi i daljes së këtij vendimit të qeverisë ka ardhur si domosdoshmëri dhe njëkohësisht edhe nga problematika e identifikuar ndër vite që ka të bëjë jo vetëm me cilësinë e ajrit në mjedis por edhe me shëndetin njerëzor. Makinat që do të hyjnë në territorin e Shqipërisë nuk do të jenë më shumë se 10 vjet. Nëse respektohen këto standarde cilësia e ajrit do të vijë duke u përmirësuar. Ka një klauzë për makinat që kanë hyrë përpara se të dilte ky vendim kanë një kohë deri në 1 mars 2019 për të kryer regjistrimin apo targimin e tyre.

Klodiana Marika,  Drejtoreshën e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit

Nga ana tjetër, tregtarët e kundërshtojnë këtë vendim, si të palogjikshëm. Sipas tyre, kjo ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në çmimet tregut pasi jo çdokush ka mundësinë të marrë një makinë të prodhuar pas vitit 2009-të. 

"Çfarë do bëj unë me atë makinë të 2009-2010-ës? Kush do ta blejë atë? Më thuaj një njeri që mund ta blejë...", thotë një tregtar automjetesh.

"Me këtë ligj që futën këta është shumë keq. Na kanë penalizuar jashtë mase. Nuk ka mundësi populli shqiptar që të blejë makinë të 2009-ës apo 2010-ës kur ata nuk po blejnë dot të 2005-ës", thotë një tregtar tjetër.

Ligji në fjalë nuk gjen zbatim për makinat antike, të cilat janë të papërdorshme. Sipas të dhënave, rreth 60% e ndotjes së ajrit vjen nga gazrat e makinave. Ndërkohë që mosha mesatare e rreth 600 mijë automjeteve është nga 15 në 20 vite.