Një udhëzim i 13 tetorit të vitit 2025 ndalon qarkullimin e monopatinat në Shqipëri, megjithëse prej asaj kohe, shumë prej tyre shihen në lëvizje, me frikën se nëse policia i konstaton, mund t’i sekuestrojë.

Ky vendim i ish-ministres së Brendshme Albana Koçiu, sot zv/kryeministre, përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, pas disa protestave që janë bërë nga qytetarë dhe shoqëri civile për rrëzimin e tij.

Organizata “Për Drejtësi Sociale” dorëzoi këtë të mërkurë padi në Gjykatë, ku kërkon që udhëzimi të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën.

“Masën e pezullimit të udhëzimit derisa të marrë një vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha avokati Gentjan Sejrani.

Organizata radhit pasojat që ka shkaktuar vendimi i Ministrisë së Brendshme, si për të lëvizur në Tiranën thuajse të bllokuar nga trafiku, ashtu edhe efekte ekonomike.

“Ne kemi parë që akoma në ambientet e Policisë së Shtetit janë mbi 1000 mjete të bllokuara dhe nuk u rikthehen qytetarëve. Kemi parë biznese të cilat preken drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe po shkojnë drejt falimentimit”, tha Sejrani.

“Monopatinat janë një mjet që reduktojnë trafikun. Kush e menaxhon trafikun, Policia e Shtetit. Atëherë, përveçse ka marr një vendim kundër nesh, qytetarëve, ka marrë edhe një vendim kundër vetes së vetë si menaxhuese e trafikut të qytetit”, tha aktivisti Rigels Xhemollari.

Për organizatën “Për Drejtësi Sociale” bllokimi i monopatinave në kohën që çmimi i naftës po rritet frikshëm në Shqipëri nën ndikimin e luftës në Iran, rëndon direkt te xhepat e qytetarëve.

Vendimi i ministrisë së Brendshme nuk e ndaloi përfundimisht qarkullimin e monopatinave në Shqipëri, por urdhëroi bllokimin e përkohshëm të tyre deri në përcaktimin e rregullave të qarta për lëvizjen e tyre në rrugë, pa u bërë burim aksidenti. Por 5 muaj nga ky udhëzim, asgjë nuk ka lëvizur!

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë