Ndalimi i premierës shqiptare në Luginën e Preshevës, Kosova: Serbia të ndalë provokimet, shqiptarët kanë të drejtë të shohin film në gjuhën e tyre

Ndalimi i premierës shqiptare në Luginën e Preshevës, Kosova: Serbia të ndalë provokimet, shqiptarët kanë të drejtë të shohin film në gjuhën e tyre

Dy ministra të qeverisë së Kosovës, kanë reaguar pas arrestimit të kreut të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, pasi u transmetua një film shqiptar i financuar nga Qeveria e Kosovës.  Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka akuzuar autoritetet serbe se paragjykuan përmbajtjen e filmit dhe se një gjë e tillë është mosdurim nacional.

“Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave. Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional”, ka thënë ai.

Sipas Çekut, Serbia nuk ka ndryshuar.

"Për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë. Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, ka thënë ai.

Ministri ka njoftuar se ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, është shprehur ai.

Për të njëjtën ngjarje ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Serbia duhet të ndalojë menjëherë provokimet e saj për të përshkallëzuar situatën”, ka shkruar Murati, derisa tha se përdorimi i politikave represive të Millosheviçit ka dështuar në të kaluarën dhe se do të dështojë përsëri.

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë të lirë të shikojnë filma në gjuhën e tyre”, ka thënë ai.


Lajmi kryesor:

Lejoi të shfaqej filmi shqiptar, Serbia arreston drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc! Kosova: Shqiptarët kanë të drejtë të shohin film në gjuhën e tyre


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja