Ndalohen 100 punëtorë: Do të
mbillnin hashash në Lazarat

Ndalohen 100 punëtorë: Do të <br />mbillnin hashash në Lazarat
GJIROKASTER - Periudha e mbjelljes së hashashit në atë që quhet “perandori e jugut”, Lazarati, është shndërruar në një treg punë për familjet e varfra dhe të ardhura të pamjaftueshme për të jetuar. Policia e Gjirokastrës, në një aksion i pari i këtij lloji, ka ndaluar mëngjesin e sotëm rreth 7 furgona të cilët transportonin mbi 100 qytetarë drejt fshatit “rebel”. Për banorët e Gjirokastrës, udhëtimi drejt Lazaratit çdo mëngjes është kthyer tashmë në rutinë të përditshme. Të kontaktuar me banorët e Lazaratit që mbjellin hashash në shesh të hapur dhe pa asnjë ndrojë nga ligji dhe policia, punëtorët “hallexhinj”, kryesisht gra “të armatosura” me mjete pune pasi marrin furgonët e linjës në dalje të qytetit të Gjirokastrës, nisen drejt fshatit ku shpenzojnë aty mbi dhjetë orë pune në ditë në këmbim të 2000 mijë lekë të rinj që paguhen nga “pronarët” e lëndës narkotike.

AKSIONI I POLICISE
Policia e Gjirokatrës prej kohësh ishte vënë në dijeni të këtij fenomeni, por vendos të ndërhyjë vetëm mëngjesin e sotëm.
Mbi 100 persona”të punësuar” të kanabisit janë shoqëruar në policinë e jugut ku kanë dhënë shpjegime se pse dynden çdo ditë drejt Lazaratit, kush i punëson dhe sa i paguan.
Sipas burimeve policore të cilave u referohet A1 Report, të 100 personave kryesisht gra, u është marrë deklaratë me shkrim se çfarë punë kryejnë në Lazarat dhe cilët janë punëdhënësit e tyre duke u vënë në dijeni se në rast shkelje të ligjit, do të penalizohen. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentjan Mullai, edhe gjatë ditëve në vijim, do të intensifikohen ndjeshëm masat në drejtim të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat. Ndërhyrja e sotme e Policisë së Gjirokastrës, është e para e këtij lloji ndërkohë që transporti i dhjetëra personave përmes furgonëve të Lazaratit për në fshatin në fjalë, kryhet në mëngjes në zonën e poshtme të Gjirokastrës.

KUR MBILLET HASHASHI
Muajt Prill-Maj njihen si muajt e mbjelljes së bimës narkotike. Në Lazarat atë e ndesh kudo, në kopshtet e cdo shtëpie, në parcela të vetmuara dhe kudo.
Në tetor të zotët e hashashit korrin atë që kanë mbjellë të punësuarit.
Një punëtor shprehet se ato që shfrytëzohen për këtë lloj punë janë kryesisht gra për faktin se gropa ku mbillet lënda narkotike është e cekët, nuk kërkon shumë stërmundime, punë këto që mund të bëhen lehtësisht edhe nga gratë.
“Mjafton të kesh pleh organik, një kazmë ose shat të vogël, farën e hashashit dhe një burim ujor dhe mbarërritja e kësaj bime është e sigurt: shprehet për A1Report një banor nga Lazarati.
Sipas tij “fara e bimës sigurohet në tre muajt e parë pasi është mbjellë, kurse balta në parcelën që mbillet ndërrohet në cdo tre vjet”
Dhe këtë teknologji fare të thjeshtë pas së cilës qëndrojnë të ardhura prej miliona lekësh e përballojnë fare thjeshtë edhe gratë.

PSE SHTETI KA HUMBUR BETEJEN ME LAZARATIN
Prej më shumë se dy dekadash policia dhe shteti thuajse e kane të humbur betejën me “baronët e drogës në jug të vendit”
Policia jep shifra optimiste të kohëve të fundit dhe thotë se janë bllokuar 17 kamionë me pleh organik, tre kamionë me baltë dhe dy autobotë me ujë të cilët kishin për destinacion kultivimin e hashashit nga persona të skeduar si kultivues të bimëve narkotike. Prefektura si zakonisht në këtë fazë të kultivimit të hashashit dhe dje bëri një takim për marrjen e masave parandaluese.I pranishëm ka qënë zv drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku. Në bazë të të dhënave që u prezantuan në këtë takim, ka nisur procedimi penal për 24 lazaratas të cilëve do t’u konfiskohen asetet e përfituara kriminalisht nga kultivimi i hashashit dhe vec kësaj, do të ndiqen penalisht. Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko, kërkoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për izolimin e disa bashkëfshatarëve të tij të cilët rezultojnë me precedent penal ku po tentojnë ditët e fundit, të zaptojnë trojet publike për t’i mbjellë ato me hashash. Duke përfituar nga takimi i djeshëm, zoti Aliko u është drejtuar bashkëfshatarëve të vet se askush të mos të tentojë të zaptojë tokat publike apo dhe ujësjellsin e fshatit, pasi ai dhe Këshilli Komunal, do të mbështesë me çdo kosto, ndërhyrjen policore për të cuar para drejtësisë ata individë, që do të guxojnë të kultivojnë bimë narkotike në Lazarat. Kryekomunari i Lazaratit largoi përgjegjësinë nga vetja e tij duke u shprehur se kultivimi i bimëve narkotike në oborret e shtëpive të lazaratasve, është përgjegjësi individuale dhe kushdo që do kostatohet dhe do kapet, do të përgjigjet ligjërisht. Si kryetar komune kam marrë takim me kryefamiljarët e fshatit dhe i’u kam bërë të qartë se toleranca do të jetë zero qoftë në drejtim të zaptimit të tokave të komunës, por edhe në drejtim të kultivimit të bimëve narkotike në oboret e shtëpive-u shpreh Aliko. Zv drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, u shpreh se Policia e Shtetit, disponon të gjitha informacionet për të gjithë individët që po përgatiten të kultivojnë bimë narkotike në oborret e shtëpive apo që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike në territoret publike. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, do të mbështesë Policinë Rajonale të Gjirokastrës me të gjitha format dhe me çdo kosto, për minimizimin deri në eleminimin e plotë të kultivimit të hashashit në Lazarat-u shpreh Rrumbullaku duke kërcënuar se cilido që do tentojë të zaptojnë tokat publike në Lazarat, policia do të ndërhyjë në mes të ditës për të asgjesuar parcelat me hashash. Ndërsa kreu i Policisë së Gjirokastrës Halit Murataj, premtoi marrjen e masave ligjore në ditët vijuese me qëllim minimizimin në maksimum të kultivimit të bimëve narkotike në Lazarat. Gjatë muajve të fundit, janë zhvilluar dhjetra operacione antidrogë ku janë sekuestruar 2.5 tonë mariuanë dhe arrestuar 35 shtetas ndërkohë që janë shpallur në kërkim, një numër i konsiderueshëm personash nga Lazarati. Sipas drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, gjatë ditëve të fundit territori i Lazaratit është shkelur duke asgjesuar dhe shkatërruar dy parcela të kultivuara me hashash në një truall pa pronar por që janë evidentuar kultivuesit të cilët rezultojnë të arratisur. Ndërkaq prefektja e Qarkut të Gjirokastrës Mimoza Como, ka kërkuar marrjen e përgjegjësisë nga gjithësecili dhe kërkoi mirëkuptim dhe bashkëpunim nga të gjithë fshatarët e Lazaratit me qëllim që ky fenomen, të minimizohet dhe të parandalohet pa arritur që policia të konfrontohet fizikisht me banorët e këtij fshati.

(ns/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

PD denoncon: Blendi Gonxhja, miliona euro tenderë të paracaktuar për miqtë e tij

PD denoncon: Blendi Gonxhja, miliona euro tenderë të paracaktuar për miqtë e tij