Më shumë se 68 mijë kontrolle ka kryer AKU në 8 muaj për të garantuar standardet e sigurisë ushqimore, prej të cilave më shumë se 5 mijë inspektime ishte me bazë risku.

“Siguria ushqimore është një nga fushat ku procesi i integrimit evropian kërkon prej nesh jo vetëm përafrimin e legjislacionit, por mbi të gjitha ngritjen e një sistemi që funksionon realisht sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Salla.

Në komisionin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministri Andis Salla u ndal edhe tek mostrat e marra për analiza për produktet shtazore të importuara.

“Në zbatim të planit të monitorimit të mbetjeve për produktet shtazore të importuara nga vende të treta, gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra; 30 prej tyre ishin produkte nga Brazili, përkatësisht 22 mostra mishi pule dhe 8 mostra mishi derri”, tha ministri.

Mininistri tha se gjatë këtij viti janë identifikuar 2 raste mishi pule të importuar nga Brazili me mbetje substancash veterinare, njëra prej sasive thotë ministri ishte treguar përpara se të mbyllej verifikimi.

“Në dy raste të mishit të pulës nga Brazili gjatë periudhës janar–gusht janë konstatuar mbetje substancash veterinare. Në njërin rast, sasia ishte e bllokuar dhe e izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit; të dhënat e kontrollit tregojnë se ajo nuk kishte dalë në treg. U njoftuan sistemet RASFF dhe INFOSAN dhe produkti u kthye në vendin e origjinës. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit; u kërkua gjurmimi dhe njoftimi i klientëve dhe u morën masat administrative përkatëse. Këto dy raste tregojnë pse bllokimi para shpërndarjes dhe dokumentimi i çdo hallke të furnizimit janë vendimtarë”, tha ministri.

Salla theksoi se pavarësisht se deri më tani është ndaluar importi nga ky shtet për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, po vlerësohet me kujdes edhe importi i mishit të derrit.

“Për importet nga Brazili, nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Për këto kategori nuk lejohen importet në kushtet e reja të listimit, pikat e kontrollit dhe subjektet importuese janë njoftuar. Zbatimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, i dokumentuar dhe i shoqëruar me kontrollet që kërkon çdo ngarkesë. Gjithashtu lidhur me çështjen e mishit te derrit janë marrë komunikime me palën e Brazilit lidhur me rishikimin e marrëdhënieve tregtare. Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit”, tha Salla.

Gjatë periudhës janar–shtator, AKU ka marrë 34 njoftime përmes sistemit RASFF, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet tona.

Në Komisioni ministri deklaroi gjithashtu se brenda këtij viti pritet të jetë gati edhe një program kombëtar për përmirësimin e standardeve të qumështit.

“Gjatë vitit 2026, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim, janë vlerësuar 696; 208 rezultuan të mbyllura, të pezulluara, në rikonstruksion ose të çregjistruara. Nga stabilimentet e vlerësuara, 19 u renditën në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV. Këto të dhëna na japin një pasqyrë konkrete të gjendjes dhe na lejojnë t’i themi çdo operatori se çfarë duhet të përmirësojë. Puna që po bëjmë tani është që ky vlerësim të kthehet në masa konkrete. Synojmë që deri në dhjetor 2026 të përgatitet Programi Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Për çdo operator duhet të jetë e qartë çfarë duhet të korrigjojë, brenda çfarë afati dhe si do të verifikohet progresi”, tha Salla.