Një grup eurodeputetësh me anë të një letre kërkuan ndalimin e përdorimit të pajisjeve Huawei në Institucionet Evropiane, ashtu siç është vepruar më parë me aplikacionin TikTok.
«Nëse Huawei po na spiunon, duhet ta ndalojmë. Komisioni Evropian ndaloi TikTok për punonjësit e tij për shkak të rrezikut të ekspozimit të informacionit konfidencial. Parlamenti Evropian iu bashkua këtij vendimi. Duke marrë parasysh metodat që mendohet se përdor Huaëei, kemi indikacione se rreziku nga pajisjet Huaëei nuk është më i vogël se ai nga TikTok», thuhet në letër.
Letra, e nënshkruar nga mbi 40 eurodeputetë, mes tyre edhe eurodeputeti italian nga grupi i të Gjelbërve, Leoluca Orlando, i është dërguar kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

"Ju kërkojmë të shqyrtoni ndalimin e përdorimit të pajisjeve Huaëei për çdo aplikim brenda Parlamentit Evropian.
Për këtë arsye, do të donim gjithashtu të na informonit mbi numrin e pajisjeve Huawei të përdorura nga eurodeputetët, asistentët dhe stafi i Parlamentit Evropian që janë të regjistruar"
'Na shqetëson gjithashtu numri i ish-anëtarëve, ish-asistentëve dhe ish-punonjësve të Parlamentit Evropian që, pasi kanë përfunduar mandatin e tyre, kanë nisur punë për Huawei. Duke qenë se anëtarët, asistentët me mbi 5 vite shërbim dhe stafi i lartë i Parlamentit Evropian janë të detyruar të informojnë institucionin për punësimin e tyre pas largimit, Parlamenti duhet të ketë të dhëna për këto raste', vijon letra. 'A mund t’i ndani këto informacione me ne? Besueshmëria e Parlamentit Evropian është në rrezik. Nuk mund të lejojmë masa të pjesshme apo tolerancë politike. Ju nxisim të veproni me vendosmëri tani'
Huawei është një kompani kineze e teknologjisë që prodhon pajisje elektronike dhe ofron zgjidhje të telekomunikacionit. Ajo është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të pajisjeve të rrjeteve dhe telefonave inteligjentë.
Huawei është përballur me kritika dhe kufizime nga disa vende perëndimore, të cilat e akuzojnë për rrezik sigurie dhe spiunazh në emër të qeverisë kineze. Për këtë arsye, disa institucione dhe vende, si SHBA dhe BE, kanë kufizuar përdorimin e pajisjeve të saj në sistemet e tyre. /Corriere della Sera/
Komente

