Presidentja e Kosovës po fliste qetë, seriozisht dhe pa bujë ne nje lidhje direkte televizive. Vjosa Osmani po tregonte se kishte marrë konfirmim nga Ursula von der Leyen që masat ndaj Kosovës do të hiqeshin plotësisht në janar. Një lajm i mirë, i thënë thjesht, siç thuhet një lajm shtetëror.
Por ja ku ndodh ajo që ndodh shpesh me të njëjtin protoganist: në krah të saj shfaqet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe pa shumë hyrje e dalje thotë: “Kjo grua i bëri të gjitha këto! Është puna e kësaj!” Një fjali që në dukje duket si lavdërim, por që në praktikë tingëllon si: prisni pak, mos e mbyllni transmetimin pa mua.
Osmani u kap në befasi, por u soll si presidente. Falënderoi Shqipërinë, foli për bashkëpunimin dhe e kaloi situatën me qetësi. Ndërsa Rama e mori atë pak sekonda televizive që i duheshin për të treguar se ishte aty, në krah, në plan, në ekran. Sepse rëndësi ka të ndihet prania. Lajmi le të presë.
Ka dy probleme në këtë histori. I pari është i thjeshtë: nevoja e përhershme për të hyrë në ekran, edhe kur kamera është ndezur për dikë tjetër. Është ajo frika klasike shqiptare se mos dikush merr vëmendjen i vetëm.
I dyti është më serioz, por prapë qesharak: duke thënë se “është puna e kësaj gruaje” dhe jo puna e reformave që po bën Kosova, del sikur integrimi në BE varet nga njerëz të veçantë dhe jo nga punë konkrete. Dhe, nëse kjo logjikë vlen për Kosovën, atëherë për Shqipërinë mesazhi është i qartë: çdo gjë e mirë është puna e një njeriu të vetëm. Të tjerët janë dekor.
Problemi është se integrimi i Shqipërisë në BE nuk bëhet në Bruksel, as në Luksemburg dhe as në ndonjë konferencë shtypi ku dikush hyn pa ftesë. Ai bëhet në Tiranë. Në rrugë pa gropa, në spitale që funksionojnë, në gjykata që vendosin drejt, në institucione që nuk varen nga humori i shefit.
Por këto gjëra nuk duken bukur në televizor. Nuk kanë batuta, nuk bëjnë tituj dhe nuk emocionojnë gazetarinë e oborrit dhe patronazhistët që gëzohen sa herë shefi del në krah të dikujt tjetër dhe thotë diçka “të fortë”.
Në fund, pamë dy stile: një presidente që po bënte punën e saj dhe një kryeministër që po bënte atë që di më mirë : të kujtonte publikun se është gjithmonë aty. Edhe kur nuk ka pse.
Komente









Rri i qetë o Thoma Gellçi. Mos u ban si Saliu ku të keqen e shikoni tek patronazhistet. Mbase ban sikur nuk e din që çbllokimi ndodhi se u eklipsu negativiteti i kryeministrit ne detyre .
Përgjigju