TIRANE- Qeveria parashikon të vërë në dispozicion të kompensimit financiar të pronarëve 7.2 miliardë lekë (rreth 70 milionë dollarë) për vitet 2017-2018. Shifrat janë publikuar nga Ministria e Financave në dokumentin e parashikimeve buxhetore afatmesme. Në vitet 2017 dhe 2018, AKKP-së do t’i jepen nga buxheti përkatësisht 3.18 miliardë lekë dhe 4.18 miliardë lekë. Parashikimet buxhetore vijnë në çastin kur Qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend ligjin e ri për kthim-kompensimin e pronës, i cili parashikon në total një fond prej 50 miliardë lekësh për këtë qëllim. Gjatë gjithë këtyre viteve, për kompensimin në vlerë të pronarëve është përdorur fondi prej 300 milionë lekësh, afërisht 3 milionë dollarë, nga i cili arrinin të përfitonin vetëm disa dhjetëra ish-pronarë në vit.
 
50 miliardë
Në ligjin e ri “Për Trajtimin e Pronës”, Qeveria parashikon se kompensimi financiar i ish-pronarëve do të përfundojë në dhjetë vite, ndërkohë që shteti do të vërë në dispozicion për këtë qëllim në total 410 milionë dollarë (50 miliardë lekë). Ndërsa kishte premtuar se do përdorte nga buxheti çdo vit afërsisht 5 miliardë lekë për kompensimin e pronarëve, bie në sy se për tre vitet e para do të përdoren përafërsisht 3 miliardë lekë (afërisht 25 milionë dollarë), për të shkuar 5 miliardë lekë vetëm në vitin e gjashtë të procesit.
 
Projektligji
Këshilli i Ministrave ka dërguar për miratim në Kuvend ligjin e ri për kthim kompensimin e pronave, ku parashikon trajtimin e pasurive me vlerën që kanë pasur në çastin e shpronësimin, dhe jo vlerën që kanë sot. Një aspekt tjetër mjaft i debatuar i draftit ka të bëjë me faktin që ligji i ri i shtrin efektet edhe te vendimet për kthim-kompensim të miratuara gjatë gjithë këtyre viteve. Sipas ish-pronarëve ligji i ri do të sjellë për pasojë rrëzimin e më shumë se 11 mijë vendimeve për kthim-kompensim pronash të dhëna në vite, të cilët do të rishikohen dhe do trajtohen sipas formulës së re të qeverisë. Kjo, pasi ligji i ri për trajtimin e pronës i shtrin efektet në të gjitha vendimet për kthim-kompensim të dhëna në vite jo vetëm nga AKKP, por edhe nga Gjykatat Shqiptare, duke mos lënë jashtë as edhe dosjet që janë aktualisht në shqyrtim nga Gjykata e Strasburgut.
 
Vlera e tokës
Ajo që nga pronarët konsiderohet si shkelja më e rëndë dhe padrejtësia më e madhe që u bëhet kësaj kategorie është vendimi për të kompensuar tokën sipas zërit kadastral që ka pasur një sipërfaqe e caktuar në çastin e shpronësimit të pronarit. Më konkretisht, ai pronar që ka pasur tokë truall në vitin 1945, do të kompensohet për tokë truall në 2015. Ndërsa ai pronar që ka pasur tokë bujqësore në vitin 1945, do të kompensohet për zërin kadastral tokë bujqësore në vitin 2015, pavarësisht se sot ajo është truall me vlerë shumë më të madhe.
 
Përshpejtimi i pagesës

Ndërkohë, kushdo prej pronarëve që e kërkon kompensimin më shpejt nga sa i takon, mund ta marrë shumë shpejt, por kjo do të jetë shumë e dhimbshme, pasi do t’i kushtojë shumë shtrenjtë. “Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere”, thekson projektligji. Po ashtu, kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vitesh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. “Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit të Agjencisë për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit”, përcakton drafti. 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)