KORÇE - Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko nga Korça ka akuzuar mazhorancën se po bllokon procesin e integrimit të vendit. Sipas Majkos shumë ngjarje në Shqipëri kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit si dhe me rezultatin e zgjedhjeve lokale, të cilat nuk janë mbyllur ende.

Procesi i integrimit ka nënvizuar deputeti i PS-së është bllokuar se Partia Demokratike, nuk ka marrë qarkun e Fierit. Sipas tij në krye të këtij qarku qëndron në mënyrë të paligjshme një individ, dorëheqja e tij do të zhbllokonte shumë herë më tepër situatën se çdo gjë tjetër. Pra sot historia shtrohet në këtë naivitet ironie, nuk diskutohen tre ligjet, por qarku i 12 që do të marrë partia në pushtet.

Ndërkohë deputeti Majko ka folur dhe për ndarjen e re të mandateve sipas skemës së vitit 2009, të miratuar një ditë më parë në Parlament vetëm me votat e PD-së dhe LSI-së. Duke u ndalur tek kjo pikë deputeti i PS-së është shprehur se "procesi i zgjedhjeve ka marrë një drejtim të gabuar,por kjo nuk do të thotë se PS-së i kishte shpresat këtu. Partia Demokratike ka ngulur ”gozhdën” tek logjika se ndarja e mandateve të vit 2009 do ta ndihmojë të marrë një apo dy në favor të ndarjes së votave që ata shpresojnë, por janë të gabuar".

Deputeti Majko është ndalur gjithashtu tek thirrjet e ndërkombëtarëve, duke nënvizuar se këshillat e tyre janë të mirëpritura, por jemi ne përgjegjësit se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e vendit. Lidhur me deklaratën e deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule se nuk do të bëjë koalicion me të majtën, Majko është shprehur se, Dule është kryetari i një partie, mik, koleg ai nuk ka nevojë për ftesë. Ndërkohë lidhur me deklaratat e deputetit të “Agimit të Artë”, Pandeli Majko është shprehur se kjo nuk dëmton marrëdhëniet midis dy vendeve, pasi ai është vetëm një individ. Ndërsa përsa ju përket humbjes së këshillit në Sarandë, Majko është shprehur “Udhë të Mbarë”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)