TIRANE- PS dhe LSI do të ndajnë dhe në nivelet e tjera të qeverisjes pushtetin, pavarësisht se kush do të jetë në drejtimin e drejtorive. Kështu mësohet se PS do të marrë 75 përqind të të gjithë vendeve në administratë, aty ku ligji për nëpunësin civil nuk preket, ndërsa LSI do të marrë 25 përqind. Mësohet se nuk ka një ndarje me thikë në këtë drejtim, por do të përzgjidhet përmes personave që kanë CV të përshtatshme për një pozicion të caktuar.

Ndërkohë që pavarësisht se aleatët e tjerë, përpos PBDNJ që mori dy zv.ministra dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit për kreun e saj Dule, mbeten në lojë dhe poste të tjera për aleatët e tjerë të vegjël dhe kryesisht për 10 partitë e para në koalicionin qeverisë, përfshirë PKDSH të Mark Frrokut, PDS e Milos, PSD e Gjinushit, AP e Dojakës, apo dhe përfaqësuesit e partive të tjera aleate të Ramës.

Pavarësisht se janë emëruar 23 zv.ministra, ende janë në lojë 9 poste të tilla, duke filluar me 2 në Ministrinë e Drejtësisë, 2 në Ministrinë e Financave, 1 në Ministrinë Mbrojtjes, 1 në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, 1 në ministrinë e Transporteve, 1 në ministrinë e Kulturës dhe një në Ministrinë e zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ndërkohë që janë në lojë pa u përcaktuar dhe dy prefektë, ai i Vlorës dhe Lezhës, ndërsa janë drejtoritë e AKU, ISSH, ISKSH, AKKP, shumë drejtori në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të dikastereve të tjera të qeverisë.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)