Sot Kosova ndodhet në ditë zie kombëtare për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta të enjten në moshën 90-vjeçare.

Në Kuvendin e Kosovës po mbahen homazhet në nderim të tij, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre.

Presidentja në detyrë dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi një ditë më parë shpalljen e 24 prillit si ditë zie.

“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, shprehej Haxhiu në deklaratë.

Qosja u varros të enjten, në një ceremoni familjare dhe pa praninë e politikanëve apo mediave, siç kishte kërkuar në amanetin e tij.

I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), Qosja u formua si një nga intelektualët më të spikatur në Shqipëri, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e studimeve letrare dhe publicistikës.

Veprimtaria e Rexhep Qosjes u shtri në disa fusha, duke përfshirë kritikën letrare, studimet shkencore, romanin dhe esenë. Ai është autor veprash që kanë ndikuar në mënyrën si lexohet dhe interpretohet letërsia shqipe.

Ndër veprat më të njohura të tij përmendet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si dhe studime të shumta mbi historinë e letërsisë dhe figurat kryesore të saj. Në punën e tij shkencore, Qosja është marrë gjerësisht me analiza mbi autorë të rëndësishëm si Naim Frashëri dhe Ismail Kadare, duke kontribuar në thellimin e kritikës letrare shqiptare.

Përveç veprimtarisë akademike, Rexhep Qosja është njohur edhe si një nga zërat më të fortë dhe shpesh polemikë në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Nga vitet 1998-2000 ai ishte kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje. Po ashtu, ai shërbeu si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës, kur kryeadministrator i vendit ishte Bernard Kushner. Në vitin 2000 ai u nderua në Shqipëri me titullin “Nderi i Kombit” dhe ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Ish-krerët e UÇK-së dërgojnë mesazhe ngushëllimi nga Haga për vdekjen e Rexhep Qosjes

Edhe nga Haga kanë ardhur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.

Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim kanë shprehur dhimbje dhe respekt për figurën e tij, përmes një mesazhi të përcjellë nga Jakup Krasniqi.

Mesazhi është bërë publik nga Bilall Sherifi, i cili ka treguar se e ka marrë përmes telefonit nga Krasniqi, aktualisht në Hagë.

Sipas tij, Krasniqi ka kërkuar që të përcillet një telegram ngushëllimi në emër të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë në paraburgim.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj… Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë edhe neve. Jeta dhe vepra e tij do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar… Ai do të jetojë përherë ë kujtesën dhe respektin tonë dhe të kombit”, thuhet në mesazh

Në fund, Krasniqi shpreh solidaritet të plotë me familjen, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen.

“Edhe pse larg jush dhe të privuar nga liria prej vitesh, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë… Ju dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

 

Ora 12:50
Qeveria në Kosovë bën homazhe për Rexhep Qosjen, Kurti: Frymëzoi breza dhe i dha zë protestave

Fjalë të forta vlerësimi për figurën e akademikut Rexhep Qosja kanë ardhur edhe nga kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.

“Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra “Porosia e madhe”, kushtuar poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi. Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav e ndërkombëtar gënjeshtrat e propagandën e atyre intelektualëve serb që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famkeq të akademisë serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta”

Sipas kryeministrit, Qosja u bë zëdhënësi i popullit të ndaluar, frymëzoi breza studentësh, dhe i  dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981.

Që u bënë edhe demonstrata gjithpopullore e madje posaçërisht kur dukej që vala e tyre kishte rënë”, deklaroi kryeministri Kurti

Ora 12:41
'Vepra e tij pasuri e jashtëzakonshme' Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj bën homazhe për Rexhep Qosjen

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka nderuar sot akademikun Rexhep Qosja në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar veprën e tij si një pasuri të jashtëzakonshme për kombin.

Malaj u shpreh se gjithçka që ka lënë Qosja do të mbetet referencë, sidomos për brezat e rinj.

“Gjithçka që ka lënë akademiku Rexhep Qosja është një pasuri e jashtëzakonshme. Për këtë arritje që jetojmë sot mendoj që më mirë akoma do të jetë për brezin e ri që do të mund të prek tezat e tij dhe  gjithçka që ka ai ka bërë  për letërsi. Në Shqipëri, Rexhep Qosja gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm, kjo nuk do të thotë që ai nuk e gëzon në Kosovë, por unë kam bindjen se ne do të dimë t’ia kthejmë atë kontribut të tij në vlerë për  shoqërinë shqiptarei”, u shpreh ambasadori Malaj