Ndarja nga jeta e Stefanit, Meta
 letër ngushëlluese familjes

Ndarja nga jeta e Stefanit, Meta<br /> letër ngushëlluese familjes
Ndarja nga jeta e gazetarit, analistit Andrea Stefani për këdo ka qenë e papritur.

Edhe pse vuante nga një sëmundje e rëndë, familjarët, të afërmit, miqtë kishin besimit se Stefani do ia dilte mbanë për ta mposhtur atë, ashtu siç ka bërë me shumë sfida të tjera në jetë. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u ka dërguar një letër ngushëlluese familjes së analistit ku shtruan se ka ndjerë një dhimbje të pafund kur mori vesh lajmin e hidhur.

"Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean. E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur. Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake", shkruan Meta.

Për kreun e Kuvendit, Andrea ka qenë i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar.

"Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar, luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush", shprehet ai.

Për këdo që do t'i jap lamtumirën e fundit analistit Andrea Stefani, homazhet do të zhvillohen në ambjentet e TVSH nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
 
Më pas Stefani do të përcillet për në banesën e fundit në Tufinë në orën 13:00.

Letra e plotë

E dashur Enkelejda,
 
Të dashur Daniel e Stefani,
 
Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean. E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.
 
Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.
 
Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.
 
Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre.
 
Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar.
 
Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatit të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.
 
Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë.
 
Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush.
 
Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit! Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë.
 
Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës.
 
Sinqerisht,
 
Ilir META

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai