TIRANË, 16 Dhjetor/ATSH/.- Me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të ligjit për ndarjen e re territoriale me 61 njësi vendore, parlamenti ka një tjetër sfidë përpara atë që lidhet me ndryshimet në ligjin për pushtetin vendor dhe në Kodin Zgjedhor.
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 diktojnë nevojën e reflektimit në ligjin zgjedhor të ndryshimeve, si pasojë e ndarjes së re administrative. Një ditë më parë ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, konfirmoi se projektet e qeverisë, si ai për Kodin Zgjedhor dhe ligji 'për pushtetin vendor', janë gati dhe tashmë pritet vetëm prania e opozitës.
"Të dyja draftet janë gati. Janë ndryshime thjesht teknike që e përshtasin kodin dhe ligjin me ndarjen e re. Pritet vetëm konsensusi i opozitës, pasi duke qenë në bojkot, ne nuk kemi nxituar që t'i miratojmë ato pa prezencën e saj. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugë këtij procesi", u shpreh ministri Çuçi.
Edhe ekspertë të pavarur zgjedhorë së fundi janë shprehur për domosdoshmërinë e përmirësimit të ligjit zgjedhor, ku nevojitet të reflektohen rekomandimet e OSBE/ODIHR, por dhe ndryshimet e krijuara me miratimin e ndarjes së re territoriale. /a.s//a.ke/