Teksa Viti i Ri 2025 po troket dhe i vjetri po mbetet pas, pak para se të hapen shapmanjat dhe të shpërthejnë urimet dhe fishekzjarret, një urim të veçantë e ka pasur edhe kryeministri Edi Rama.

Nëpërmjet rrjetit social Facebook, ai uroi shqiptarët me një video krejt të veçantë, ku e nisi me një ecje në hollet e institucionit, një pamje mesazh domethënës (struktura e re e sapondërtuar në oborrin e Kryeministrisë), për ta mbyllur me një urim të ngrohtë, 'për shëndet, mbarësi dhe gëzime në familjet e shqiptarëve'.

Por pa harruar vitin që mbeti pas, me "ngjitjen e Shqipërisë në majë” dhe për të ardhmen me ngjitje akoma më lartë në këtë majë.

Mesazhi i kryeministrit Edi Rama

"Ka një vit të tërë për t’u ngjitur dhe çdo vit e ka një ditë të vetme për të zbritur. 

Këtë vit e kemi ngjitur Shqipërinë më lart se ndonjëherë, po në vitin që po troket dhe në disa vite pas tij, do ta ngjisim në majën, ku do të qëndrojë edhe kur të gjithë ne të mos jemi më, aty ku gjendet shtëpia e madhe e Familjes së Bashkuar Europiane.  

Por sot, për ne kalimtarët në këtë botë, është ajo dita e vetme për të zbritur dhe për të qëndruar me familjet tona, duke pritur Vitin e Ri. 
Prandaj edhe unë sonte nuk do të bëj më shumë sesa t’ju uroj të gjithëve një Vit të Ri në ngjitje, me shëndetin top, me mbarësi e gëzime në familjet tuaja. 
Gëzuar!"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:42
VIDEOLAJM/ Shikoni Parkun Eden! Instalacioni që Rama ndërtoi brenda kryeministrisë! Pamjet për herë të parë

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të përcjellë urimin e Vitit të Ri 2025 nga Parku Eden, instalacioni prej druri, i ndërtuar brenda kryeministrisë që tashmë ka përfunduar.

Kjo është hera e parë që publikohen pamjet e këtij instalacioni të realizuar brenda oborrit të kryeministrisë. Projekti është ideuar nga studio austriake “Precht” dhe si bazë ka drurin, ku në vend që të vendoset një kopësht në tokë, krijohet një kopësht 3- dimensional që lejon zhvillimin e programeve dhe eventeve publike të ndryshme.

Në video kryeministri përshkon të gjithë parkun Eden. 

Kopshti i Edenit ka tribunën e tij, një rampë ulëse, qe mundëson zhvillimin e konferencave zyrtare gjatë ditës dhe në mbrëmje mundësinë për leksione, koncerte apo fjalime. Ndërsa bimët, do të mbështjellin audiencën me një kuvertë natyrale si sfond i bukur për eventet.

Nuk mungojnë kopshtet me lule dhe pemë, akuariumet me peshq dhe shkallët e shumta e koridore të ndërtuara në strukturën prej druri.

Shkallë drejtkëndore dhe spirale të cilat të çojnë në tarracë nga ku sheh të gjithë Tiranën në pëllëmbë të dorës.

“Ky është një park natyror dhe një mjedis pune njëkohësisht në ambjentet e kryeministrisë, një hapësirë kjo shtesë që do tu shërbeje jo vetëm punonjësve këtu por edhe publikut të gjerë. Këtu mund të bëjmë evente, konferenca po ashtu edhe teatër' ka thënë kryeministri.