Trupi i pajetë i liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny i cili ndërroi jetë në qelitë e një burgu rus në Arktik disa ditë më parë, sot iu dorëzua nënës së tij.
Lajmin e konfirmoi Kira Yarmysh, zëdhënësja e Navalny për vite me rradhë.
"Trupi i Alekseit i është dorëzuar nënës së tij. Faleminderit të gjithëve që e kërkuan këtë me ne”, ka shkruar ajo.
Detajet e organizimit të funeralit të tij ende nuk janë përcaktuar, tha Yarmysh dhe është e paqartë nëse autoritetet ruse do të ndërhyjnë edhe në këtë rast.
Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny, konfirmoi gjithashtu lajmin në llogarinë e tij në Telegram dhe falënderoi "të gjithë" që u kishin bërë thirrje autoriteteve ruse të kthenin trupin.
"Faleminderit shumë. Faleminderit të gjithëve që kanë shkruar dhe regjistruar video mesazhe. Ju të gjithë bëtë atë që duhej të bënit. Faleminderit. Trupi i Alexei Navalny i është dhënë nënës së tij”, ka shkruar Zhdanov.
Nëna e Navalny, Lyudmila Navalnaya, kishte thënë se hetuesit rusë po i bënin presion asaj që të varroste djalin e saj në "fshehtësi" në një ceremoni private. Ajo aktualisht është ende në rajonin e Arktikut, tha Yarmysh, pasi kishte udhëtuar atje për të kërkuar lirimin e trupit të djalit të saj.
Ndihmësit e Navalny thanë se autoritetet e kishin kërcënuar se do ta varrosnin në qytetin ku ndodhej burgu ku ai vdiq nëse familja e tij nuk pranonte kushtet e tyre.