Kisha Katolike në Shqipëri u zgjua mëngjesin e së shtunës me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të bariut të mirë të Sapës, Monsinjor Simon Kulli. 52-vjeçari mësohet të ketë pësuar një arrest kardiak, pasi ishte goditur nga tensioni arterial teksa ndodhej në selinë e ipeshkvisë së Sapës në Vau-Dejës.
Edhe pse kreu i kishës në veri të vendit u dërgua në spital, çdo përpjekje rezultoi e kotë, duke lënë pas dhimbje për të afërmit dhe mijëra besimtarët që ai i drejtoi për dhjetëra vite si bari i një prej ipeshkivive më të rëndësishme të vendit.
Homazhet për Imzot Kullin do të mbahen deri të martën (2 dhjetor), ku dhe do të përcillet në banesën e fundit, ora 10:00. Ai do të prehet në kriptën e katedrales "Shën Nënë Tereza" Vau Dejës.
Simon Kulli lindi më 14 shkurt 1973 në fshatin Pistull të Vaut të Dejës. Më 2 shkurt të vitit 1992, hyri në seminarin ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër dhe kreu dy vite parapërgatitje për fillimin e studimeve filozofike e teologjike.
Në vitin 1994 filloi studimet e Filozofisë dhe dy vite më pas, në 1996, ato të Teologjisë, ndërsa më 14 shtator 1999 u shugurua diakon në Katedralen e Shkodrës.
Gjatë periudhës së diakonatit, nga shtatori deri në janar 1999 shërbeu në Katedralen e Shkodrës me famullitarin Dom Lucjan Avgustini. Nga janari i vitit 2000 deri në qershor shërbeu në Dajç të Zadrimës me Dom Injac Dëma, sekretar i përgjithshëm i Dioqezës.
Më 29 qershor të vitit jubilar 2000, ai u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës së bashku me katër meshtarë të tjerë shqiptarë, në një moment historik, pasi Kisha Katolike në Shqipëri shënonte shugurimet e para pas 46 viteve të regjimit komunist.
Pas shugurimit meshtarak, prifti katolik u emërua në Dajç të Zadrimës, ku shërbeu si ndihmës famullitar pranë Dom. Injac Dëmës, ndërsa njëkohësisht ishte edhe sekretar i Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës.
Në vitin 2016, pas vdekjes së parakohshme të ipeshkvit të atëhershëm, Luciano Avgustini, Kulli u emërua administrator i Dioqezës së Sapës me seli në Vau-Dejës. Në vitin 2017, Papa e emëroi ipeshkëv të kësaj dioqezë, detyrë të cilën e mbante aktualisht.
Monsinior Simon Kulli do të mbahet mend gjatë për kujdesin ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të moshuarve, për punën e palodhur në rindërtimin e shumë kishave të shkatërruara nga diktatura komuniste, ndërtimin e dhjetëra kishave të reja dhe kontributin në jetën shoqërore-ekonomike të zonave të thella malore.
Ai u shua me shumë ide të tjera që jeta ia preu në mes, duke u larguar me dashurinë e madhe që kishte për Zotin dhe për dëshirën për një popull në paqe e të bashkuar.
Komente








Ngushellime! Sa djale i mir ka kene, jo sepse ka vdek (edhe kriminelet bahen ye mire kur vdesin!!!), por sepse e kam njoft te tille pa u ba prift, kir u ba prift e mo sinjor. Zoti e paste ne parriz shpirtin e tij te mire!!!
Përgjigju