Historia është aq sa tragjike, po dhe aq komike, dhe nisi vetëm dy muaj para zgjedhjeve. Paskali, një burrë nga Vlora, është pronar i tokës m’u në majë të Llogarasë. Padyshim, duke shfrytëzuar zgjedhjet dhe me një llaf goje me kryetarin e bashkisë së Himarës Jorgo Goro vendosi që në tokën e tij të bëjë diçka. Ende pa leje. Siç sqaron Alketi me telefon, janë ulur edhe të tre, kanë pirë një kafe për të sqaruar situatën.
“Kur zyrtarët e Bashkisë panë se Paskali ishte duke bërë jo vetëm një kat, por ka hedhur beton për dy tre apo më shumë kate, i thanë se nuk duhet të vazhdojë një ndërtim të tillë. Sepse sensi i të bërit të atij ndërtimi ishte dicka modeste prej një kati, që nuk duhet të prishte në asnjë mënyrë pamjen që duhet të kishin të gjithë qytetarët që ndalojnë atje për të bërë foto, por ndërkaq, edhe për federatën e Parashutizmit, që është krijuar dhe funksionon që në vitin 1993 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite” tregon Alket Islami.
Dhe ndërkaq, të dielën e kaluar duket se ka ndodhur një katrahurë kur parashutistët kanë dashur të hidhen nga maja e Llogarasë, për të vazhduar drejt detit, për të shijuar, fluturimin, lartësinë dhe sportin e tyre. Janë ndeshur me punëtorët, me betonat e mëdha që janë duke u ngritur, me katet që lartësohen në një godinë që duket se do të përpijë gjithë pamjen nga toka drejt detit dhe lartësisë së qiellit, dhe nuk kanë arritur asgjë. “Duhet të ndërhyhet menjëherë.
Nuk mund të lejohet një ndërtim i tillë monstruoz. Nuk ka sens. Ajo ka qenë një zonë e virgjër gjithmonë. Edhe vendorët e kanë kërkuar këtë gjë. Nuk mund të ketë një ndërtim të tillë në atë majë, e vetmja që mund të shfrytëzohet nga të gjithë ne” vë ulërimën Alket Islami. Duket se ndërtuesi është treguar i zgjuar. Me një llaf goje, ka nisur të hedhë themelet.
E mandej, duke shfrytëzuar situatën kaotike parazgjedhore të fushatës, aty ku nuk e kishte njeri mendjen, siç duket edhe nga foto, ka shtruar më së miri katin e parë. Më pas do të hedhë edhe katin e dytë, duke zënë përfundimisht gjithë hapësirën. Ka vetëm një problem. Ndërtimi vjen në atë qark ku Edi Rama është zgjedhur deputet. Dhe do të jetë kryeministër i nesërm.
Duke qenë se Alketi e di se Rama është i apasionuar për sportin e artin, është shumë i sigurt se një gjë të tillë nuk do ta lejojë. “Unë nuk diskutoj se çfarë mund të ndodhë në shtator, thotë Alketi. E rëndësishme është që ai të mos vazhdojë sot e kësaj dite punimet. Pra mos ta ndërtojë.
Që më në fund të thotë se do të nisë procedurën e legalizimeve”. Por jo gjithçka mbyllet me aq. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me ndërtimin gjatë javëve në vazhdim. Deri atëherë, të gjithë ata që do të kalojnë për pushime majën e llogarasë, nuk do ta shohin pikën ku qielli puqet me detin. Edhe Parashutistët, do të stopojnë hedhjet e tyre, të vetmet hedhje në vendin tonë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.07.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)