Ndërtimet në kryeqytet, s’ka leje
në Dajt dhe në kurorën e Tiranës

Ndërtimet në kryeqytet, s’ka leje<br />në Dajt dhe në kurorën e Tiranës
Këshilli Kombëtar i Territorit ka caktuar zonat e cilësuara si “zona të urbanizuara” në të gjithë territorin e vendit, e për të cilat njësitë vendore do të mund të japin leje ndërtimi për disa kategori të caktuara objektesh. Për të mos penguar nevojat familjare për strehim në këto kategori, KKT ka shtuar dhe lejet për banesat një familjare.

“Leje ndërtimi do të jepen për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërhyrje me karakter emergjent, për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, bujqësor e blegtoral. KKT shtoi në listën e objekteve, për të cilat mund të jepen leje ndërtimi, edhe banesat individuale njëfamiljare”, tha Adelina Greca, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Territorit.

Sipas vendimit të KKT, deri në miratimin e planeve të reja vendore, 61 njësitë e dala nga reforma territoriale do të japin leje ndërtimi brenda këtyre zonave, pas bashkërendimit me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Ndërsa për të mbrojtur nga degradimi, atë që cilësohet si kurorë e gjelbër e kryeqytetit, KKT shpalli të gjitha zonat që rrethojnë dhe lidhin kryeqytetin “zona të rëndësisë kombëtare”.

“Të gjitha periferitë e qytetit të Tiranës, përfshirë malin e Dajtit, kodrat në jug e perëndim të qytetit, përbëjnë kurorën e gjelbër të Tiranës. Masat që merren fillimisht janë parandaluese për ndërtimet e reja”, theksoi Adelina Greca.

Përmes një vendimi të datës 22 gusht, KKT vendosi të bllokojë lejet e ndërtimit të dhëna nga njësitë e pushtetit vendor, me përjashtim të rasteve që i hapnin rrugë zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe industrisë së prodhimit.




Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër