TROPOJË- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, vijoi sot aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Valbonës, në Tropojë.

Aksioni i kësaj të shtune, përfshiu tre bujtina druri të ndërtuara nga banorët pranë hyrjes së parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë evidentuar 20 objekte të paligjshme, ndërsa deri tani janë shembur 15 prej tyre.

Shumica e ndërtimeve u prishën nga vetë pronarët, ndërsa të tjerat po ekzekutohen nga forcat operative në terren. Operacioni, i mbështetur edhe nga Bashkia e Tropojës, do të vijojë deri në prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme brenda zonës së mbrojtur.

Ndryshe nga Thethi, ku pati përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit, në Valbonë një pjesë e pronarëve të bujtinave kanë zgjedhur të bashkëpunojnë. Ata kanë nisur vetë çmontimin e ndërtimeve, duke shmangur konfliktin me autoritetet.

Një pjesë shprehen të pakënaqur, duke thënë se këto ndërtime janë investime të tyre dhe burimi kryesor i të ardhurave nga turizmi. Një grua në lot tha se bujtinat i ndërtuan për një copë bukë.

“Jam me plot ilaçe, e kam shtëpinë me ujë dhe lagështirë. E kemi ndërtuar për të ngrënë një copë bukë. Fëmijët janë duke qarë... Këtë vit e bëmë, këtë vit e prishën. Të na mbysin ne nëse duan me e prish... ”, tha e moshuara mes lotësh.

Aksioni në Valbonë vijon prej 3 ditësh. Kjo është ndërhyrja e dytë në zonat e mbrojtura, pas shembjeve masive në Theth, gjatë muajit korrik. Aksioni në Theth u shoqërua me një sërë kritikash nga kryeministri Rama për shkak të 12 kabinave pa leje të ngritura mu në zemër të Thethit, përballë Kishës simbol të zonës. IKMT ka paralajmëruar se operacionet për lirimin e hapësirave publike do të shtrihen në të gjithë vendin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:18
IKMT aksion në Parkun e Valbonës, do prishen 22 objekte pa leje, banorët në lot: I ndërtuam për një copë bukë (VIDEO)

Banorët e Valbonës kërkojnë mosprishjen e bujtinave. Sipas tyre, ata i kanë ndërtuar me leje të shtetit dhe se me të ardhurat që marrin nga dhënia me qira e dhomave për turistët, mbajnë shtëpinë dhe rrisnin fëmijët.

Një çift të moshuarish, janë shprehur se bujtinën prej druri e kanë ndërtuar këtë vit dhe se nga ky biznes marrin të ardhurat e vetme për të siguruar jetën së bashku me fëmijët.

“Jam me plot ilaçe, e kam shtëpinë me ujë dhe lagështirë. E kemi ndërtuar për të ngrënë një copë bukë. Fëmijët janë duke qarë... Këtë vit e bëmë, këtë vit e prishën. Të na mbysin ne nëse duan me e prish... ”, tha e moshuara mes lotësh.

“Ia prish çatinë… jam shqiptar, nuk jam serb. Rrëzoje dhe lere ashtu… nuk ka bërë vaki. Në tokë tonë, në shtëpinë tonë, është gjynah. Me djeg shqiptari shqiptarin, më keq nuk ka. Kanë ardhur 3 policë dhe 1 police e më thanë ‘Ja pafshi hajrin’. Para votimeve i kemi ndërtuar”, u shpreh i moshuari tjetër.