Hekurudha Shqiptare ka shpallur PROGEEN fitues të tenderit për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave në linjën TiranëDurrësRinas, me ofertë fituese prej 890.9 milionë lekësh, ose rreth 9 milionë euro.

Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i procedurës me objekt “Hartimi i projektit të detajuar dhe Ndërtimi i Bazës Mekanike për Mirëmbajtjen e Trenave ‘DEPO’ Tiranë–Durrës–Rinas” ishte 1 miliarde lekë, ndërsa oferta fituese sa 87.4% e fondit limit.

Projekti

Projekti lidhet me krijimin e një baze mekanike për mirëmbajtjen dhe shërbimin e mjeteve lëvizëse elektrike EMU që do të operojnë në linjën Durrës–Tiranë–Rinas.

Kontrata parashikohet të zbatohet sipas modelit Design & Build, ose “me çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin, furnizimin dhe instalimin e sistemeve, testimin, komisionimin dhe dorëzimin funksional të objektit.

Baza do të përfshijë objektet civile dhe industriale të depos, infrastrukturën hekurudhore të brendshme dhe lidhjen me rrjetin ekzistues, si dhe sistemet e sinjalizimit, telekomunikimit, elektrifikimit, furnizimit me energji, ujë dhe kanalizime. Kontrata përfshin gjithashtu rrugët e brendshme, ndriçimin, sistemet e sigurisë dhe survejimit, si dhe furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e depos.

Sipas Termave të Referencës, projekti i detajuar parashikon një repart shërbimi dhe riparimi për trenat EMU, me linja pa ballast, kanale kontrolli, vinça urë me kapacitet ngritës rreth 30 tonë, pajisje ngritëse dhe zona diagnostikimi.

Në kompleks parashikohen gjithashtu pika kontrolli dhe inspektimi, një impiant për larjen e trenave me sistem për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave, post për kontrollin e lëvizjes së trenave, dhoma teknike për sinjalizimin dhe telekomunikimin, si dhe magazina, zyra dhe ambiente teknike e sanitare.

Infrastruktura e depos do të lidhet me rrjetin hekurudhor përmes stacionit Shkozet. Projekti përfshin edhe elektrifikimin e linjave, sinjalizimin, telekomunikimin GSM-R, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave industriale, sistemet kundër zjarrit dhe monitorimin me kamera. Termat kërkojnë që sistemet e depos të integrohen me infrastrukturën dhe projektin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas.

Dokumentacioni e përcakton ndërtimin aktual si fazën e “investimit minimal”, e cila duhet të jetë funksionale dhe e pavarur për operimin e trenave të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Rinas, ndërsa projektimi duhet të marrë parasysh edhe zgjerimin e kapaciteteve të depos në faza të ardhshme./Monitor