Ndërtimi i gurores në Klos për Rrugën e Arbrit rebelon banorët: Shkatërrohet shëndeti e prodhimet! Kompania: Ekspertët e mjedisit thonë të kundërtën

Ajo që prisnin me padurim si mundësinë e artë për zhvillimin e turizmit në zonën e tyre, dalë në dritë nga ndërtimi i Rrugës së Arbrit, banorëve të Shkallës në Bashkinë Klos, sot po u kthehet në rrezik për shkatërrimin e fshatit të tyre.

Kompania “Gjoka Construction”, që po ndërton rrugën e Arbrit dhe pritet ta inaugurojë përfundimisht atë më 29 nëntor, siç kryeministri Edi Rama e njoftoi si "dhuratë" për festat, sipas banorëve po bën manovra për të shfrytëzuar një hapësirë të konsiderueshme pyjore, rreth 250-300 metra pranë shtëpive të tyre, për gurore me afat 3-vjeçar.

Kompania ka dorëzuar në bashki kërkesën "Për heqjen e sipërfaqes 4.4083 nga Fondi Pyjor ne fshatin Shkallë, Njësia Administrarive Xibër me gjurmë guroreje në Ekonominë Pyjore Linor, Guri i Bardhë, në ngastrat ne 103 b, 108 a dhe 110 a".

Por në kushtet e kundërshtive të shprehura nga banorët, edhe me peticione, këshilli Bashkiak i Klosit organizoi konsultim publik.

 “Për mua nuk ka negociata fare. Asnjëri nuk ka pse rri këtu, të ngrihen dhe të ikin; Në asnjë mënyrë të mos lejohet që të preket qoftë edhe një gur i vetëm; Ku do të shkojmë ne, do të hamë pluhurin e gurores?; Këtu nuk duhet të bëhet, pikë. Këtu nuk duhet të lejohet asnjë gjë tjetër sepse këtu pallavrat i marrë era, çdo gjë që vendoset, vendoset në popull”, tha një banor.

Ndërtimi i gurores sipas banorëve do të dëmtonte shëndetin e tyre, florën dhe faunën.

 “Po bëjmë mbrapa, shkatërrim. Ky është shkatërrim territori, toke, mjedisi, prishje e klimës, atmosfera prishet komplet me dioksid karboni. Nëse kjo gjë do të bëhet, në Dibër nuk do të ketë më as bujqësi”, u shpreh një banor tjetër.

Pas kundërshtisë shprehur hapur në sy të përfaqësuesve të “Gjoka Construction” dhe pushtetit lokal, banorët firmosën peticionin për moslejimin e ndërtimit që do t’i dorëzohet këshillit bashkiak Klos. Nëse kompania Gjoka nis hapjen e gurores, ata paralajmërojnë se do nisin protestat.

“Këto janë legena, të gjithë do i djegim me benzinë. Të bëjnë provë dhe le të vijnë, nëse nuk ka shtet, këtu ka popull, këta janë maskarenj”, tha një banor i zonës.

Përfaqësues të “Gjoka Construction”, pretendojnë se faza e konsultimit publik është privuar nga pandemia, dhe se vetë kompania ka mbledhur më herët firmat e banorëve që janë pro, shumica e të cilëve sipas banorëve edhe janë punësuar nga kompania për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

“Bashkia ka ndryshuar objektin sepse sot nuk ka qenë dëgjesë publike për ndërtimin e gurores, por ka qenë dëgjesë publike që e ka bërë këshilli bashkiak për heqjen nga fondi pyjor i kësaj sipërfaqeje dhe për ta marrë subjekti “Gjoka Construction” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Kjo fazë është ezauruar, të gjitha hapat ligjor i ka kaluar dhe për arsye pandemie, janë takuar në grupe të vogla, nga tre, katër apo pesë veta”, tha Albert Çollaku, inxhinier i kompanisë.

Sipas inxhinierit Çollakut, zëri i banorëve nuk duhet dëgjuar pasi ekspertët kanë vlerësuar se zona nuk do të dëmtohet nga gurorja.

“Kontrata koncensionare e ka të përcaktuar që materialin për ndërtimin e rrugës do e marrin tek zona ku po bëhet ndërtimi. Për të dhënë këtë leje janë ekspertët, pra nuk mund të jenë banorët, pa i ofenduar asnjë, nuk mund të jenë ekspertë mjedisi. Janë marrë të gjithë ekspertët e mjedisit që kanë përcaktuar që kjo nuk bën efekte dhe dëme që pretendohen nga banorët”, tha Çollaku.

Nëse Këshilli Bashkiak miraton projektvendimin, atëherë kompanisë Gjoka i hapet rrugë të marrë lejen për shfrytëzimin e 4.4083 ha zonë pyjore në fshatin Shkallë, për gurore për 3 vjet, edhe pse Rruga e Arbrit në fakt, përmbyllet shumë më herët se ky afat.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 21/11/2021 23:45

    Sa te zgjuar na qenkan keta //Gjoka Construction//,e paskan bere mire planin!!! Atyre <<eksperteve te mjedisit>> ua kane mbushur mire xhepat qe te thone, qe prerja e pyjeve nuk demtoka mjedisin,po keshtu dhe tentativa qe po bejne ne bashki per t'a hequr nga emertimi si /zone pyjore/.Firmat ua kane marre me lezet atyre banoreve dele, qe kane punesuar.Rruga po ndertohet e po behet gati qe te kalojne kamionet e mbushur me gure dhe ate lejen per shfrytezim gjoja 3 vjecar,nuk e pengon asgje te rinovohet prape pasi t'i mbaroje afati.Ky numer i //Gjokes// me kujton ato numrat qe jane pere ne bregdet,kur u kane nderuar emertimin e tokave,nga bujqesore a cfare quheshin ,qe i kane cilesuar me emra te tjere.KORRUPSIONI VAZHDON DHE IA BEN MOOO!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja