Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE) në bashkinë Pustecit në Korçë, ka paditur në Gjykatën Administrative qeverinë shqiptare. Shkak është bërë miratimi i vendimit për ndërtimin e 3 qendrave pritëse për emigrantët e paligjshëm në zonën e Pustecit.

AMIE ka reaguar dhe më parë publikisht duke kundërshtuar këtë vendim të qeverisë me arsyetimin se nuk është bërë asnjë konsultim publik me banorët e komunietit maqedonas dhe pa dialog me aktorët lokalë.

Gjithashtu një tjetër problematikë e ngritur nga Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian, është cënimi i zonës së mbrojtur pasi qendrat pritëse janë projektuar për tu ndërtuar buzë liqenit të Pustecit.

Qeveria ka miratuar në dhjetor ndërtimin e 20 qendrave pritëse për emigrantët e paligjshëm të shpërndara në 3 qarqe kryesore, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Këto qendra të reja pritet ngrihen gjatë periudhës 2026-2028 dhe parashikohet të akomodojnë emigrantë që kryesisht vijnë nga vende të pasigurta apo në krizë si Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani apo Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si një vend-kalimi tranzit me destinacionin final vendet e Bashkimit Evropian.