Pa u bërë një javë nga rihapja, rruga Qukës-Qafë Plloçë, ka pësuar sërish shembje dhe çarje të asfaltit. Kjo arterie e rëndësishme që lidh Përrenjasin me Pogradecin qëndroi e mbyllur 10 ditë për shkak të shembjes së masivit në zonën e tuneleve, pranë Kalivaçit. Ndërsa tashmë rruga ka shfaqur dëmtime të reja tek theksat e Trebinjës, siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv.
Asfalti ka pësuar çarje të thella. Po kështu vihet re cedim i shtratit të rrugës. Në pjesën e poshtë, shembja e dherave është masive. Punëtorët e kompanisë dhe mjetet e rënda shihen në terren. Jashtë kamerave thanë se po vendosin pilotë në përpjekje për të stabilizuar terrenin në një zonë mjaft problematike sa i përket erozionit.
Ndërsa drejtuesit e mjeteve, në këto kthesa të rrezikshme do duhet të ulin shpejtësinë, pasi qarkullimi kryhet vetëm me një korsi, në një gjatësi prej 1 kilometër. Të shqetësuar ata thanë se rruga është e rrezikshme dhe është kthyer në burim për aksidente.
“Rrugë e rrezikshme. Kalojmë shpesh. Punime të dobëta, rrezikohesh edhe nga gurët që bien.
E rrezikshme sa duash.
E rrezikshme, hedhin nga pak zift”, thonë shoferët.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë me gjatë 43 km ka shfaqur problematika të shumta, edhe pse ka vetëm 5 muaj që është inauguruar dhe ka kushtuar 260 milionë euro. Gjatë ndërtimit, ajo u tenderua nga ARRSH-ja në tre lote.
Loti i dytë i cili ka pësuar çarjen është ndërtuar nga kompania “ALB-BUILDING”, me aksionere Odhise Breshen dhe Pëllumb Beten. Ashtu si loti i parë i ndërtuar nga kompania “2T” e vëllezërve Sako, edhe ky segment rezultoi mjaft problematik.
Komente











Mire qe e paskan ngjit se paska qene duke rreshqit e gjitha
Përgjigju