Opozita e kërkoi në sallën e Kuvendit duke e akuzuar se me firmën e tij krimi po financon ndërtimin e kullave në vendin tonë, por kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë këto akuza nga një takim me sipërmarrës të këtij sektori. Kryeministri Rama tha se ky sektor ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, por edhe në transformimin urban të Shqipërisë. Rama e pranon se sektori i ndërtimit mund të operojë në disa raste në informalitet, por kjo sipas kreut të qeverisë nuk është arsye e mjaftueshme për ta atashuar këtë sektor me paratë e krimit.

"Sektori i ndërtimit sjell shumë të mira, por nga ana tjetër si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë që lëndon një numër të madh protagonistësh. As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste se ç’janë në vende të tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sa dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.

Ka shumë arsye pse Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla, është e pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë po punë e madhe. Por ama është e pamundur për ne që të pranojmë se shumica ndërtuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në thesin e blatës për disa që mund të jenë patjetër ashtu siç thuhet. Bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë vetëm nga ky projekt, nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhen, kopshtin dhe ndërkohë bashkia mund të fitojë edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit është të ndërtojë edhe shkollën në momentin që do t’i jepet trualli për ta ndërtuar. Në këto 14 mln euro janë edhe pjesa që shkon te 3% për strehimin. Kush investon në këto projekte, investon për një vlerë të shtuar. Këto apartamente nuk i blen dot as një i varfër dhe as një njeri që thjesht jeton me një pagë të ulët apo mesatare, por nga ndërtimi i këtyre apartamenteve, bashkia e Tiranës dhe bashki që ndërtojnë të tilla marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit për të ndërtuar dhe investuar në skema të strehimit social", tha Rama.

Atyre që flasin për pastrim parash në Shqipëri përmes sektorit të ndërtimit, u ktheu një përgjigje të ashpër.

"Për ata që lehin në çdo gjuhë, nga shqipja deri në anglisht dhe në gjuhë të tjera dhe që menjëherë nxitojnë ta kornizojnë këtë transformim si transformimin e krimit, sot që flasim ku projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që nuk paguhen me cash, por paguhen me bankë dhe 350 apartamente janë ¼ e apartamenteve që do të ketë gjithë ku kompleks i madh dhe sot janë të porositura", tha Rama.

Gjatë takimit me sipërmarrësit ku u prezantua një projekt i ri, Rama u njohu kontributet sipas tij të padiskutueshme në transformimin e vendit.

"Bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë vetëm nga ky projekt, nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhen, kopshtin dhe ndërkohë bashkia mund të fitojë edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit është të ndërtojë edhe shkollën në momentin që do t’i jepet trualli për ta ndërtuar. Në këto 14 mln euro janë edhe pjesa që shkon te 3% për strehimin. Kush investon në këto projekte, investon për një vlerë të shtuar", vijoi Kryeministri. 

Përpjekja për të lidhur sektorin e ndërtimit me pastrimin e parave të drogës e krimit, kryeministri Rama e lidh me qëllimin për të dëmtuar imazhin e vendit ndërkombëtarisht. E ironizoi edhe opozitën kur tha se beteja politike nuk fitohet duke furnizuar mediat e huaja me baltë e as duke nxirë imazhin e Shqipërisë në Bruksel. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Takimi me ndërtuesit, Rama batuta: Këta demokratët me ne punojnë, me të tjerët protestojnë! U del të argëtohen edhe me molotovë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me ndërtues, ku foli për rritjen e ekonomisë, punësimit, pagave në sektorin e ndërtimit, që sipas tij luan një rol kyç në transformimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Gjatë takimit nuk munguan batutat nga kreu i qeverisë, i cili iu drejtua sipërmarrësve demokratë duke u thënë “Këta demokratët me ne punojnë me të tjerët protestojnë, janë në rregull, këta janë rehat, këtyre u del dhe të argëtohen me molotovë, edhe të ndërtojnë dhe fitojnë”.

Ora 14:43
Rama ironi me opozitën: Beteja politike nuk fitohet duke nxirë Shqipërinë në Bruksel, as duke paguar mediat e huaja për të hedhur baltë

Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën nga një takim me sipërmarrës në sektorin e ndërtimit dhe iu përgjigj akuzave të tyre për pastrim parash, duke thënë se ky sektor ka rol jetik në zhvillimin ekonomike dhe  transformimin e vendit. Kryeministri solli shembullin e Maqedonisë apo Malit të Zi për të cilat tha se kanë qenë gati në konflikte civile, por kundërshtarët e qeverisë nuk shkonin kurrë në Bruksel për të nxirë imazhin e vendit. Rama tha se beteja politike nuk fitohet duke furnizuar mediat e huaja me baltë e as duke u ankuar në Bruksel apo duke paguar portale.

“Nuk e kuptojnë ata se çfarë do të thotë të japësh 700 paga në muaj dhe t’i japësh çdo muaj, dhe t’i rrisësh dhe të vazhdosh ti japësh, nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ndërtosh një kompani, të rrisësh një kompani.  Atyre ju duhet të mbushin 2 orë televizor, hajde kap dy shqipo atje që ju duket sikur ju rritet vlera kur flasin dhe intervistohen nga gazetarë të huaj dhe fut e bjer Shqipërisë. Se ma thonë ata andej si ka mundësi. Ka pasur gati luftë civile në Maqedoni, nuk shkonin kundërshtarët e qeverisë nga Shkupi të shkonin në Bruksel dhe të ulnin e të ngrinin një Maqedoninë si një vend për tu dënuar. Nuk e bënin, ka pasur në Mal të Zi gati konflikt civil, se ata janë gjysma këtej e gjysma andej, nuk shkonin në Bruksel të ulnin e të ngrinin njëri tjetrin dhe të kërkonin dënimin e Malit të Zi. Bullgaria sot nuk gjen rehat, është në BE, nuk gjen rehat nga lufta e brendshme, nuk shkojnë në Bruksel të thonë dënoni Bullgarinë. Po pse atje fitohet beteja politike, po fitohet beteja politike duke furnizuar mediat e huaja me baltë? Po nuk fitohet duke paguar gazetarë e duke paguar portale jashtë për të nxjerrë baltën”, tha Rama.