TIRANË- 3 vite burg të konvertuar në shërbim prove vendosi gjykata e Tiranës për kantautorin Bojken Lako. Ai u shpall fajtor për ndërtim të paligjshëm, pas punimeve që kishte nisur në një godinë të marrë më qira për ta kthyer në studio muzikore.

Konvertimi i dënimit në shërbim prove u bë pasi gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar. Lako është gjobitur gjithashtu me 50 mijë lekë nga IKMT. Arrestimi i kantautorit u bë vitin e kaluar pas denoncimit të një qytetari se në një banesë pranë ish-NSHARAK po kryheshin punime. Gjatë hetimeve, rezultoi se Lako ka kryer punime pa leje ndërtimi duke ndërtuar një strukturë të re në godinë

Report Tv ka siguruar dosjen e plotë të vendimit të dhënë në 8 shkurt, ku sqarohet se gjithçka nisi nga një telefonatë e një qytetari që denoncoi për punimet pa leje që kantautori po kryente në ambienin e marrë me qira. Nga sa mësohet, Lako ka marrë leje për suvatime të pjesshme, lyerje si dhe riparime elektrike dhe hidraulike, por ka hapur edhe 4 dritare në dhomë, duke shkelë lejen.

"Në datë 16.02.2021, Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon  nga një qytetar, se në rrugën “ Shefqet Musaraj”, në anën e majtë të saj, tek një ndërtesë dy katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit  është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo banesë ishte në bllokun e ish magazinave tek ish NISHARAK, në afërsi të UET, e cila ishte marrë me qira nga shtetasi Boiken Lako dhe punimet po kryheshin prej tij. Nga këqyrja ka rezultuar se në katin e dytë ishte një ambient holl, me përmasa 30 m2 me 7 të përshtatura në dhoma, ku po kryheshin punime ndërtimore. Në dhomën e parafundit  nga ana lindore ishte hapur një mur, me përmasa 120x100 cm, një dritare, në dyshemenë e kësaj dhome kishte materiale inerte, tulla dhe llaç, në dhomën e fundit  ishte vendosur një dritare duralumini, të gjitha ambientet e brendshme ishin të ndara në dhoma, nuk kishte dyer të vendosura, tavani i hollit të ambientit ishte i pa suvatuar, por i shtruar me parket laminat.

I pandehuri Boiken Lako ka deklaruar se punimet po kryheshin për llogari të tij, tek ish magazinat tek Nisheraku , të cilën e ka marrë me qera nga shtetasi D. S, duke dashur ta sistemojë me qëllim ta kthente në një studio muzikore. Ka shkuar tek Njësia Administrative Nr.7 dhe ka aplikuar më dt.21.01.2021, për leje për kryerjen e disa punimeve hidraulike, elektrike, suvatime të mureve dhe tavaneve, shtrim me pllaka dhe restaurime të dritareve dhe dyerve të objektit. Pasi ka dalë leja, ka kontaktuar me mikun e tij K. K, për të ndjekur punimet pasi ai vetë ishte i zënë. Në lidhje me dritaren e hapur  me përmasa 100x90cm, ka qenë më pare dhe ata kanë hapur dritare që kanë qenë të mbyllura, për t'i kthyer në gjendjen e mëparshme. Këto rrethana dhe fakte janë të shoqëruara me tabelë fotografike.

  Sipas shkresës nga IMT-ja Bashkia Tiranë, me shkresën Nr.7821/1 prot. Dt.24.02.2021, inspektorët kanë konstatuar se po bëheshin punime pa dokumentacion në objekt, që konsiston në hapjen e katër dritareve në njerën faqe të objektit, me përmasa 75x140cm dhe 120x140cm, në këtin e dytë të ndërtesës. Ndaj subjektit Boiken Lako është mbajtur process-verbal i konstatimit të kundravajtjes Nr.3963 dt.17.02.2021, ndërsa me vendimin Nr.3287 dt.26.02.2021 duke e dënuar me gjobë në shumën 50 000 leke.

  Në deklarimet e tij Boiken Lako është shprehur se me “lejen” me të cilën ishte paisur, ka menduar që mund të bënte ndërhyrje, duke hapur edhe dritaret në katin e dytë dhe të mos kishte problem, por shkresa e Njësisë Administrative Nr.7 është bërë nga pronari dhe jo nga Boiken Lako dhe saktësisht është kërkuar që në objekt të kryhen “ suvatime të pjesshme, lyerje si dhe riparime elektrike dhe hidraulike” si dhe përmendet se ndërhyrjet e bëra jashtë kësaj kërkese dhe rregullores së Zhvillimit të Territorit e ngarkon subjektin me përgjegjësi ligjore", thuhet në dosje.

(Klikoni këtu për të parë dokumentin e vendimit te plote)