34-vjeçari Genti Hoxha dyshohet se ka prodhuar edhe më parë bomba me celularë. 3 ditë pas shpërthimit të fuqishëm në servisin e tij të celularëve pranë Ambasadës Amerikane, burime nga grupi hetimor thanë për Report Tv se 34-vjeçari ka bërë montim të disa lëndëve shpërhtyese muaj më parë. 

Për tu kamufluar Genti hoxha ka marrë një dyqan me qëra në rrugën “Qamil Guranjaku”. Brenda këtij servisi, Genti Hoxha kishte krijuar një dhomë të fshehtë, e cila nuk dallohej dhe brenda kësaj dhome ruante detonatorët, kapsollat dhe pjesët e tjera me të cilët montonte mekanizmin për lëndët shpërthyese me celularë.

Pikërisht brenda kësaj dhome 34-vjeçarit i është gjetur detonatori dhe kasollat e pashpërthyera. Grupi hetimor ka dërguar në policinë shkencore materialet e gjetura në biznesin e Hoxhës si, laptop, detonator, kapsolla, fitil zjarrpërcjellës dhe lëndë shpërthyese e llojit tritol. 

Sipas burimeve Policore, Genti Hoxha kishte lidhje me grupe kriminale në zonën e Fushë Krujës, ku merrte edhe materialet për bombat me celularë. Pikërisht ky bashkëpunim i siguronte atij më pas edhe shitjen e bombave për të kryer atentate të ndryshme. 

Policia ka tentuar disa herë të marrë në pyetje 34-vjeçarin por nuk ka arritur për faktin se Genti hoxha ka pësuar dëmtime të shumta në fytyrë dhe nuk mund të flasë. Gjithashtu atij i janë prerë edhe gjymtyrët e sipërm nga shpërthimi.

Sipas hetuesve shpërthimi në servisin e celularëve, ka ndodhur për shkak të një incidenti gjatë prodhimit të mekanizmit, ku më pas ka shpërthyer detonatori, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve. Ditën e enjte Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg” për Genti Hoxhën, I cili akuzohet për mbajtje pa leje dhe prodhimit të lëndëve shpërthyese dhe municioneve.

d.c./shqiptarja.com