Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bazamenti”, goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit.

Ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa leje një kapanon dhe nga verifikimet rezultoi se ai kishte filluar punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa leje.

Mbetjet nga punimet e ndërtimit, 43-vjeçari i hidhte në lumin e Tiranës, dhe si pasojë, shkaktonte ndotje.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Bazamenti”, për goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit.

Kishte ndërtuar pa leje, një objekt dhe kishte nisur të ndërtonte, gjithashtu pa leje, një tjetër, arrestohet 43-vjeçari.

Ai gjithashtu kishte ndotur lumin e Tiranës, pasi shkarkonte aty, mbetjet (inerte) nga punimet e ndërtimit.

Gjatë kontrolleve të kryera në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, kryesisht në afërsi të sipërfaqeve ujore, të cilat mund të shfrytëzohen ilegalisht, për marrje inertesh, me qëllim ndërtimi, ose mund të ndoten nga hedhja e mbetjeve të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 konstatuan në rrugën “Myslym Keta”, një rast në këtë fushë.

Për rastin, në kuadër të operacionit “Bazamenti”, si dhe si rezultat i hetimeve, u vu në pranga shtetasi L. K., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar 1 objekt pa leje (kapanon). Nga verifikimet rezultoi se ai kishte filluar punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa leje. Më tej rezultoi se mbetjet nga punimet e ndërtimit, 43-vjeçari i hidhte në lumin e Tiranës, dhe si pasojë, shkaktonte ndotje.

Kontrollet, me objektiv konstatimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.