Ndërtuesit kërkojnë që të rishikohet taksa e strehimit social prej 3 % si dhe rishikimin e VKM për rritjen e çmimit të referencës në masën 40%. Por kjo ka hasur në kundërshtimin kategorik të kryeministrit Rama.
Në emër të ndërtuesve foli Erjon Harizi nga Shoqata e Ndertuesve te Shqiperise.
Debati i plotë mes ndërtuesit dhe kryeministrit Rama në takimin e mbajtur sot paradite me përfaqësuesit e sipërmarrjeve mbi nismën e re për rishikimin tërësor të procedurave administrative të biznesit.
Ndërtuesi Erjon Harizi: Rritja e çmimit të referencës në masën 40% që jep pasoja në taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe zinxhirin e taksave të bashkië së Tiranës ka rritur taksën e ndërtimit në 40% të kostos vetë në qytetin e Tiranës.
Nuk mund të bëhen ndërhyrje të tjera në mesin e vitit fiskal se nuk është llogaritur. VKM e këtij viti na ka kapur të papërgatitur dhe pothuajse e kemi të pamundur të mbarojmë biznesplanin tonë”
Jemi të penalizuar sa i takon kontributit 3% që vetëm ndërtuesi i Tiranës e paguan në Shqipëri. Deri në 2022 ka paguar nga biznesi 100 mln euro për të pastrehët. Kjo taksë që ka qenë e përkohshme duhet të shfuqizohet, nuk mund të jetë kjo taksë e pafund dhe të rëndojë vetëm në sektorin e ndërtimit.
Edi Rama: Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin, këtë nuk kishit parashikuar?! Kishit përgatitur një plan biznesi që do të gënjenit shtetin pa mbarim, dhe do të shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit të shitura me 850 euro? Këtë nuk e kishit parashikuar? Në plan biznesi e kishit edhe evazionin?
Nuk kishit parashikuar që shteti do të vinte momenti e të thoshte STOP! Ju ndërtoni bëni shumë mirë që e bëni por paralelisht bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturën, rindërtojnë të gjithë hapësirat rreth e rrotull që nuk merrni përsipër të bëni gjë duke nisur nga Tirana. Që ju të shisni apartamente me 2 mijë – 3 mijë – 4mijë – 5 mijë euro, të shisni hapësira biznesi me 6 mijë euro – 7 - 8 mijë euro e të deklaroni atje çmime që janë larg së vërtetës nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës, nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, por në bazë të tregut.
Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet një metër katror tek Blloku dhe tek Liqeni. Është bërë një studim i thjeshtë i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë detyrimi që ju duhet të përgjigjeni. Çfarë nuk keni parashikuar?! Sa doni të fitoni në këtë histori?! Është e drejta juaj të fitoni sa më shumë. Kini parasysh se nuk e dëgjojmë më fare. Nuk është akoma maksimumi që duhej të vendosur. Është bërë një kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra ndërkohë që çmimet rriten çdo javë.Është rritje që do të përfitojnë të gjithë jo vetëm ju.
Të duket shumë kontributi social 3% për çdo ndërtim?! E ke gabim. Në New York nuk ndërton dot një godinë ku të shesësh të gjithë apartamentet se nuk të lë. Të thotë kaq do shesësh dhe kaq përqind do të japësh me qira. Të detyron dhe sa duhet të lësh me qira.
Askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor. Ndërtoni se ka interes dhe fitoni shumë dhe bravo ju qoftë. Mos hajdeni këtu të bëni si shtresë në nevojë. Ne flasim këtu për procedura ju më thoni ju kemi çuar letër. E pastaj. Çoni letër e kërkoni që shteti të mos marrë atë që u takon për njerëzit. Thoni pse shteti na kap mes vitit duke gënjyer pse nuk na lë të gënjejmë deri në fund të vitit. Kjo nuk mund të ndodhë. E di që gënjeni nga halli por vjen një moment ku shtyhet më tutje kufiri.
Edhe me këto referenca ju përsëri fitoni jo pak se ne e dimë tjua bëjmë llogaritë se kemi gjithë atë ministri financash që merret me këtë punë.
Kryeministri Edi Rama: Jo!
Ndërtuesi, Erjon Harizi: Me Kushtetutë e ka Republika e Shqipërisë të merret me të pastrehët jo ndërtuesi. Ju me një VKM ja keni kaluar këtë barrë ndërtuesit.
Kryeministri Edi Rama: Republika e Shqipërisë duhet të merret me të pastrehët, ndërtuesit duhet të merren vetëm me strehimin me çmime të kripura. Po ju në cilën republikë jetoni? Edhe duhet t’i themi kompanive të kujt?
Ndërtuesi: Çdo aktivitet ekonomik duhet të kontribuojë?
Kryeministri Edi Rama: Edhe këta të turizmit duhet të kontribuojnë dhe për të pastrehët? Të japin një kat për të pastrehët në hotel?
Ndërtuesi: Po të dyfishosh taksën e ndërtimit në mes të vitit fiskal është normale?
Kryeministri Edi Rama: Të lutem mos ta zgjasim…
Ndërtuesi: Nuk kundërshtojmë çmimin e referencës, kundërshtojmë dyfishimin e taksave në mes të vitit.
Kryeministri Edi Rama: Ju e paguani dhe merrni lejen.
Ndërtuesi: Po themi kemi filluar një procedurë leje në Janar. Leja zgjat 6 muaj. 8% që ne paguajmë në 1 Gusht është i papërgatitur nga ne ta paguajmë dyfish.
Kryeministri Edi Rama: Po mirë përgatitu për vitin tjetër s’ka problem. Mos e filloni ndërtimin tani, fillojeni vitin tjetër.
Ndërtuesi: Po digjet leja.
Kryeministri Edi Rama: S’ka problem, bëjeni prapë aplikimin, rëndësi ka që keni pronat. Taksa i referohet pikërisht vlerës. Bëhet mbi vlerën. Dhe mbi atë bazë secili e paguan kur fillon punën.
Lajmi kryesor: