Në një takim të mbajtur sot paradite me përfaqësuesit e sipërmarrjeve mbi nismën e re për rishikimin e procedurave administrative të biznesit, ndërtuesit kërkuan që të rishikohet çmimi i referencës me 40% që hyri në fuqi në mes të këtij viti por dhe  taksa e kontributit social 3 %. 

"Nuk mund të bëhen ndërhyrje të tjera në mesin e vitit fiskal se nuk është llogaritur. Jemi të penalizuar sa i takon kontributit 3% që vetëm ndërtuesi i Tiranës e paguan në Shqipëri. Deri në 2022 ka paguar nga biznesi 100 mln euro për të pastrehët' u shpreh Erjon Harizi nga Shoqata e Ndertuesve të Shqipërisë. 

Kryeministri Rama u shpreh kategorikisht kundër kur tha se procedura nuk do të ndryshohet dhe as çmimi i referencës duke i kujtuar ndërtuesve se shesin apartamente me çmime më të larta nga sa deklarohen.

" Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin, këtë nuk kishit parashikuar?! Kishit përgatitur një plan biznesi që do të gënjenit shtetin pa mbarim, dhe do të shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit të shitura me 850 euro? Këtë nuk e kishit parashikuar? Në plan biznesi e kishit edhe evazionin?

Nuk kishit parashikuar që shteti do të vinte momenti e të thoshte STOP!  Që ju të shisni apartamente me 2 mijë – 3 mijë – 4mijë – 5 mijë euro, të shisni hapësira biznesi me 6 mijë euro – 7 - 8 mijë euro e të deklaroni atje çmime që janë larg së vërtetës nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës, nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, por në bazë të tregut.

Çoni letër e kërkoni që shteti të mos marrë atë që u takon për njerëzit. Thoni pse shteti na kap mes vitit duke gënjyer pse nuk na lë të gënjejmë deri në fund të vitit. Se ne jemi mësuar kështu të gënjejmë.  Kjo nuk mund të ndodhi.  Unë e di që gënjeni nga halli por vjen një moment që shtyhet më tutje kufiri dhe kështu harmonizojmë interesat më mirë. Edhe me këto referenca ju përsëri fitoni jo pak se ne e dimë tjua bëjmë llogaritë se kemi gjithë atë ministri financash"Mos i hyni kësaj" tha Rama.

Edhe sa i takon taksës 3% të kontributit social që japin ndërtuesit do të parashikohet një ndryshim. Rama tha se po diskutohet që ndërtuesit të japin hapësira prej 3% aty ku ndërtojnë dhe jo në zonat ku duan ata.

"Unë medoj që Bashkia Tiranë nuk duhet t’ju tolerojë, që t’i jepni në vend tjetër, një herë si fillim. Ky është diskutim që e kam bërë me bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3% në vendin ku ndërtoni.  Se ca njerëz do jetojnë në qendër dhe ca të tjerë që i ka pjellë lopa dhe do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet. Kjo nuk është e drejtë. Do ta shikojmë dhe këtë. 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe" tha Rama.

Shënim: Debatin e plotë e gjeni tek zhvillimet

Rama lajmëroi se duke nisur nga viti i ardhshëm do të jetë dhe taksimi i hoteleve me çmimin e referencës.

"Kështu që edhe hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do kenë referencë, patjetër. Gjithë hotelet do kenë një çmim reference. Unë dua kaq, pastaj të tjerat merri, t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi"

Kryeministri Rama tha se po punohet me inteligjencën artificiale për të shkurtuar burokracitë dhe premtoi se brenda këtij mandati prokurimet publike do të jenë të reformuar. 

Janë 1300 kërkesa që miratohen në vit për dhënien e licencave. Bizneseve do u shpërndahet një pyetësor dhe më pas do të krijohen grupe teknike ku të mund të diskutohet derregullimi dhe elementë të tjerë që e shqetësojnë biznesin. Afati për lëshimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor do të jetë 30 ditë dhe ndryshe nga më parë ku kërkoheshin 17 dokumente sot do të kërkohen 8 dokumente.

Lajmi po përditësohet...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:35
'Ca jetojnë në qendër e ata që i ka pjellë lopa në fund të botës' Rama paralajmëron ndërtuesit: 3% do e jepni aty ku ndërtoni, jo ku doni ju

Edhe sa i takon taksës 3% të kontributit social që japin ndërtuesit do të parashikohet një ndryshim. Rama tha se  po diskutohet që ndërtuesit të japin hapësira prej 3% aty ku ndërtojnë dhe jo në zonat ku duan ata.

"Mos i hyni kësaj. Janë mbledhur 100 mln në Tiranë, nga i dilni këto llogari. Mos i hyni më kësaj janë mbledhur 100 milionë për socialet në Tiranë. Nga i nxirrni këto llogari? Unë medoj që Bashkia Tiranë nuk duhet t’ju tolerojë, që t’i jepni në vend tjetër, një herë si fillim. Ky është diskutim që e kam bërë me bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3% në vendin ku ndërtoni.  Se ca njerëz do jetojnë në qendër dhe ca të tjerë që i ka pjellë lopa dhe do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet. Kjo nuk është e drejtë. Do ta shikojmë dhe këtë. 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe. Thashë se do të thonit pse nuk na e merrni 3% tek Blloku por na e kërkoni tek Astiri. Ju thoni, fare. Kjo nuk diskutohet. Jemi për procedurat këtu jo për taksat" tha Rama.

Ora 11:25
Kreu i Konfindustrisë: Veç cilësisë së keqe, qytetarët po vidhen te karburantet

1696328972_1696323706foto.jpg

Gjergj Buxhuku, administratori i Konfindustrisë, gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama teksa po diskutoheshin sugjerimet për përmirësimin e klimës së biznesit, ngriti disa shqetësime.

Mes të tjerash, Buxhuku tha se, Konfindustria ka vërejtur vjedhje të produkteve të hidrokarbureve, naftë, benzinë dhe gaz nga pikat e karburantit. Ai tha se qytetarët veçse marrin hidrokarbure të cilësisë së keqe, paguajnë më shumë sesa marrin.

“Unë kam disa shqetësime. Kemi një problematikë të madhe për ndërtimin e paneleve diellore nga industritë. Është kufizim i madh me VKM-në për 0.5 megavat. Unë mendoj se është procedurë penguese, u ngrit para një viti. Mendoj që një pengesë e tillë mund të tejkalohet. Është një bllokim nga mendtë, jo nga  mundësitë. Shqetësimi i dytë edhe nga pikëpamja etike duhet luftuar, është problemi metrologjinë e karburanteve. Kemi pasur shqetësime nga bizneset. Kemi vjedhje të mëdha në shitje me pakicë. Në produktet naftë dhe benzinë, ka vjedhje. Veç cilësisë së keqe të karburanteve, qytetarët paguajnë më shumë sesa deklarohet. Shqetësues është fakti që kjo ka ardhur pas kalimit me koncesion të shërbimit. Nuk jemi në fazën t’i kthehemi problematikës së vjedhjes me kandar. Duhet të ketë barazi dhe konkurrencë.”-tha Buxhuku.

Ora 11:04
DEBATI I PLOTE/ Ndërtuesit kërkojnë rishikim e çmimit të referencës dhe taksës 3%, Rama kundërshton kategorikisht: Nuk mund të gënjeni shtetin pa mbarim, STOP!

Ndërtuesit kërkojnë që të rishikohet taksa e strehimit social prej 3 % si dhe rishikimin e VKM për rritjen e çmimit të referencës në masën 40%. Por kjo ka hasur në kundërshtimin kategorik të kryeministrit Rama.

Në emër të ndërtuesve foli Erjon Harizi nga Shoqata e Ndertuesve te Shqiperise. 

Debati i plotë mes ndërtuesit dhe kryeministrit Rama në takimin e mbajtur sot paradite me përfaqësuesit e sipërmarrjeve mbi nismën e re për rishikimin tërësor të procedurave administrative të biznesit.

Ndërtuesi Erjon Harizi: Rritja e çmimit të referencës në masën 40% që jep pasoja në taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe zinxhirin e taksave të bashkië së Tiranës ka rritur taksën e ndërtimit në 40% të kostos vetë në qytetin e Tiranës.

Nuk mund të bëhen ndërhyrje të tjera në mesin e vitit fiskal se nuk është llogaritur. VKM e këtij viti na ka kapur të papërgatitur dhe pothuajse e kemi të pamundur të mbarojmë biznesplanin tonë”

Jemi të penalizuar sa i takon kontributit 3% që vetëm ndërtuesi i Tiranës e paguan në Shqipëri. Deri në 2022 ka paguar nga biznesi 100 mln euro për të pastrehët. Kjo taksë që ka qenë e përkohshme duhet të shfuqizohet,  nuk mund të jetë kjo taksë e pafund dhe të rëndojë vetëm në sektorin e ndërtimit.

Edi Rama: Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin, këtë nuk kishit parashikuar?! Kishit përgatitur një plan biznesi që do të gënjenit shtetin pa mbarim, dhe do të shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit të shitura me 850 euro? Këtë nuk e kishit parashikuar? Në plan biznesi e kishit edhe evazionin?

Nuk kishit parashikuar që shteti do të vinte momenti e të thoshte STOP! Ju ndërtoni bëni shumë mirë që e bëni por paralelisht bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturën, rindërtojnë të gjithë hapësirat rreth e rrotull që nuk merrni përsipër të bëni gjë duke nisur nga Tirana. Që ju të shisni apartamente me 2 mijë – 3 mijë – 4mijë – 5 mijë euro, të shisni hapësira biznesi me 6 mijë euro – 7 - 8 mijë euro e të deklaroni atje çmime që janë larg së vërtetës nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës, nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, por në bazë të tregut.

Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet një metër katror tek Blloku dhe tek Liqeni. Është bërë një studim i thjeshtë i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë detyrimi që ju duhet të përgjigjeni. Çfarë nuk keni parashikuar?! Sa doni të fitoni në këtë histori?! Është e drejta juaj të fitoni sa më shumë. Kini parasysh se nuk e dëgjojmë më fare. Nuk është akoma maksimumi që duhej të vendosur. Është bërë një kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra ndërkohë që çmimet rriten çdo javë.Është rritje që do të përfitojnë të gjithë jo vetëm ju.

Të duket shumë kontributi social 3% për çdo ndërtim?! E ke gabim. Në New York nuk ndërton dot një godinë ku të shesësh të gjithë apartamentet se nuk të lë. Të thotë kaq do shesësh dhe kaq përqind do të japësh me qira. Të detyron dhe sa duhet të lësh me qira.

Askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor. Ndërtoni se ka interes dhe fitoni shumë dhe bravo ju qoftë. Mos hajdeni këtu të bëni si shtresë në nevojë. Ne flasim këtu për procedura ju më thoni ju kemi çuar letër. E pastaj. Çoni letër e kërkoni që shteti të mos marrë atë që u takon për njerëzit. Thoni pse shteti na kap mes vitit duke gënjyer pse nuk na lë të gënjejmë deri në fund të vitit. Kjo nuk mund të ndodhë. E di që gënjeni nga halli por vjen një moment ku shtyhet më tutje kufiri.

Edhe me këto referenca ju përsëri fitoni jo pak se ne e dimë tjua bëjmë llogaritë se kemi gjithë atë ministri financash që merret me këtë punë.

Kryeministri Edi Rama: Jo!

Ndërtuesi, Erjon Harizi: Me Kushtetutë e ka Republika e Shqipërisë të merret me të pastrehët jo ndërtuesi. Ju me një VKM ja keni kaluar këtë barrë ndërtuesit.

Kryeministri Edi Rama: Republika e Shqipërisë duhet të merret me të pastrehët, ndërtuesit duhet të merren vetëm me strehimin me çmime të kripura. Po ju në cilën republikë jetoni? Edhe duhet t’i themi kompanive të kujt?

Ndërtuesi: Çdo aktivitet ekonomik duhet të kontribuojë?

Kryeministri Edi Rama: Edhe këta të turizmit duhet të kontribuojnë dhe për të pastrehët? Të japin një kat për të pastrehët në hotel?

Ndërtuesi: Po të dyfishosh taksën e ndërtimit në mes të vitit fiskal është normale?

Kryeministri Edi Rama: Të lutem mos ta zgjasim…

Ndërtuesi: Nuk kundërshtojmë çmimin e referencës, kundërshtojmë dyfishimin e taksave në mes të vitit.

Kryeministri Edi Rama: Ju e paguani dhe merrni lejen.

Ndërtuesi: Po themi kemi filluar një procedurë leje në Janar. Leja zgjat 6 muaj. 8% që ne paguajmë në 1 Gusht është i papërgatitur nga ne ta paguajmë dyfish.

Kryeministri Edi Rama: Po mirë përgatitu për vitin tjetër s’ka problem. Mos e filloni ndërtimin tani, fillojeni vitin tjetër.

Ndërtuesi: Po digjet leja.

Kryeministri Edi Rama: S’ka problem, bëjeni prapë aplikimin, rëndësi ka që keni pronat. Taksa i referohet pikërisht vlerës. Bëhet mbi vlerën. Dhe mbi atë bazë secili e paguan kur fillon punën.

Ora 10:49
Nga 2024 edhe hotelet do të taksohen në bazë të çmimit të referencës, Rama: Synojmë të kapim 10 milionë për këtë vit

 

Vitin e ardhshëm edhe hotelet do të taksohen në bazë të çmimit të referencës. E deklaroi kryemistri Edi Rama në diskutimin e hapur me përfaqësues të biznesve në një diskutim të hapur mbi lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit me temë “Derregullimi dhe klima e biznesit” 

Kështu që edhe hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do kenë referencë, patjetër. Gjithë hotelet do kenë një çmim reference. Unë dua kaq, pastaj të tjerat merri, t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi.

Ne kemi 1.1 milion turistë në shtator. Shifra zyrtare që e mora sot në mëngjes. 1.1 milion turistë në shtator dhe nëse dhjetori do të jetë në këtë trend, ne mund të kapim 10 milion turistë këtë vit, po me siguri do të kalojmë 9, varet nga dhjetori, si do të jetë dhjetori."

"Kështu që si për shitjen e apartamenteve, si për shitjen e dhomave nëpër hotele, nuk shohim asnjë rrugë tjetër përveç se t’ju themi bazuar te tregu dhe te sondazhet e Drejtorisë së Tatimeve, që jo, ne nuk e pranojmë që t’iu marrim juve TVSH-në 6% për këtë shifër që na jepni ju. Ne do tua marrim TVSH-në 6% për këtë shifër që e thotë tregu dhe kaq dhe ju do të na i jepni se nuk po e marrim ta çojmë në shtëpi, po e marrim për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë nga hallkat që turizmi ka nevojë t’ia përmirësojë shteti"

Po studiohet dhe tregu i Airbnb

"Tani si ta shpjegojmë ne, përtej Airbnb që është një tjetër hapësirë e pakontrolluar për shkak se me Airbnb duhet të bëjmë një marrëveshje. Airbnb gjithmonë iu krijon probleme qeverive për të dhënë ato të dhënat, por edhe për shkak se ne duke e parë këtë si fenomen të ri dhe duke kuptuar që ky është një tjetër burim i rëndësishëm për familjet që japin apartamentet me qira, nuk kemi dashur të hyjmë në taksimin e këtyre. Po si ta shpjegojmë ne që kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat nga hotelet, nuk korrespondojnë të dyja gjërat. Të ardhurat e deklaruara, nuk korrespondojnë. Tani këto janë gjëra të thjeshta" 

Ora 10:33
Rama: Brenda këtij mandati, sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike! Do rritet transparenca

 

Brenda këtij mandati do të kemi një sistem te revolucionarizuar të prokurimeve publike, bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë një diskutimi me sipërmarrjen për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Kreu i qeverisë tha se për dhënien e prokurimeve publike do të ketë shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe më pak njerëzor me qëllim që të jenë sa më sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet.

'Sot në këtë fazë duke pasur parasysh se tani janë bërë disa vite që është ecur para mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë është koha për të riparë të gjitha proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër. Në fund të ditës është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe lehtësinë e të bëri biznes në Shqipëri. Kontributi juaj është jo vetëm i mirëseradhur por është i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Ministrja do të bëj paralelisht dhe takime specifike edhe intervista atë aktorëve të caktuar në çdo sektor që të marrë mbrapsht sa më shumë informacion dhe sugjerime praktike.

Brenda këtij mandati do të kemi një sistem te revolucinarizuar të prokurimeve publike me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe më pak njerëzor me qëllim që të jenë sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet. Një kompani SHA do të bëjë gjithë procesin e blerjeve të përqendruara çka deri më sot e bërë agjencia e blerjeve të përqendruar në MB, kjo do të jetë një shoqëri publike që do të krijojë shumë më tepër akses. Në interes publik dhe të gjithë operatorëve.’- tha Rama.