Ndeshja kundër Anglisë, Asllani: Në Londër s'shkojmë për turizëm, duam Botërorin! Bajrami: Të mësojmë nga gabimet

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit ka vijuar paraditen e të martës (18 mars) me stërvitjen e radhës në prag të dy ndeshjeve kualifikuese të Grupit K për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë të premten e 21 marsit luajnë në Londër kundër Anglisë, ndërsa tre ditë më vonë në Tiranë mbërrin Andorra.

Pas stërvitjes së sotme, dy mesfushorët Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami folën për mediet.

Kristjan Asllani kërkoi fokusim te rivali, duke thënë se në Londër nuk do shkojnë si turistë, por kërkojnë ta nisin mirë këtë fushatë, kjo edhe për të harruar ecurinë zhgënjyese në Ligën e Kombeve. Komentet nga lojtarët e Interit dhe thyerja e tabusë kundër Anglisë, këto ishin disa nga temat e cekura.

"Fillojnë kualifikueset, kemi grup të vështirë dhe jemi gati për ndeshjen e parë. Anglia ka një skuadër të fortë, fizike dhe teknike, nuk mendojmë shumë, luajmë me shpirt dhe zemër. Nuk do shkojmë atje si turistë. Dua të fitoj 3-4 Kupa me Interin dhe të shkoj në Botëror me Shqipërinë. Si Inzaghi dhe Sylvinho janë dy trajnerë shumë të fortë.

Çfarë pritet nga Asllani? Unë nuk luaj këtu për veten time, nuk më intereson në aspektin personal. Jemi këtu për ekipin. Anglia ka një mesfushë shumë të fortë, ata do kenë topin në 70-80 përqind, por na duhet shpirti dhe zemra në fushë.

Thyerja e tabusë kundër Anglisë? Ndeshja nis 0-0, Anglia niset favorite kundër të gjithëve. Bashkëlojtarët e Interit janë tallur me mua, më kanë thënë do pësoni 6-7 gola dhe do shkoni në shtëpi.

Frenimi dhe mbrojtja nga goleada? Kur humbëm 5-0 në ndeshjen e fundit nuk kam qenë pjesë e ekipit, e di çfarë ndodhi. Po punojmë që kjo mos ndodhë. Të luajmë si në Euro 2024. Kemi bërë stërvitje, kemi harmoni. Tani fillojnë gjërat e vërteta, duam të shkojmë në Botëror.

Tifozët? Na duhen në stadium. I falenderoj, m'i kanë përmendur edhe lojtarët e Interit.

Nedim Bajrami i Rangers është mësuar me futbollin fizik në ishull dhe paralajmëron një lojë të ngjashme nga "Tre Luanët". Fantazisti kërkon që të mësojnë nga gabimet e së shkuarës.

Anglia? Te Rangers kam gjashtë muaj të mira, këtë kohë nuk kam marrë shumë minuta, por jam i gatshëm. Unë luaj në krah dhe në mesin e fushës, ku të dojë Sylvinho unë jam gati për të dhënë më të mirën.

Humbja 5-0 e katër viteve më parë, ju në fushë - Po, duhet ta përgatisim ndryshe këtë ndeshje. Kemi një kundërshtar me cilësi.

Eliminimi i Fenerbahces - Kemi fituar vetbesim te Rangers, me këtë kam ardhur edhe në Kombëtare.

E përballon Shqipëria fizikisht Anglinë? Jemi gati, afrimi i Brojës na kompleton. Anglia luan në atë mënyrë. Unë do jap maksimumin, si gjithë djemtë.

Mësim nga Liga e Kombeve? Kompeticionet janë ndryshe, të mësojmë nga gabimet dhe të jemi gati për Anglinë", tha Nedim Bajrami.

Kombëtarja kuqezi do vijojë sërish këtë të martë në orën 16:00 një tjetër stërvitje, ndërsa nesër bëhet nisja drejt Londrës. Në gjashtë takimet kundër Anglisë në histori, Kombëtarja ka marrë po kaq humbje.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 09:11

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?



×

Lajmi i fundit

'Po me TikTok-un, si i behët?', Rama me të rinjtë e njësisë 4, “thumbon” Berishën pas protestës: Do vështirësohet edhe më shumë

'Po me TikTok-un, si i behët?', Rama me të rinjtë e njësisë 4, “thumbon” Berishën pas protestës: Do vështirësohet edhe më shumë