Fitorja 0-1 kundër Andorrës i dha tri pikë me shumë peshë kombëtares së futbollit, me Shqipërinë që do e mbyllë Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026 në vendin e dytë. Kjo do të thotë se kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho do garojnë në play-off për ëndrrën e madhe të finaleve të verës që vjen në Amerikën e Veriut.
Për Report Tv, gazetari Fation Baze komentoi këtë arritje historike si edhe ndeshjen përmbyllëse të kësaj faze kualifikuese, atë kundër Anglisë e cila luhet nesër në orën 18:00 në 'Air Albania'. Të gjitha biletat janë shitur për këtë duel dhe nesër pritet "një miqësore" luksi për tanët, teksa dy skuadrat kanë përmbushur objektivat. Anglia e ka siguruar vendin e parë dhe pjesëmarrjen në Botëror, ndërsa Shqipëria si e dyta e Grupit K do kërkojë "biletën" nga play-off që luhet në marsin e 2026. Kuqezinjtë vetëm pas pesë ditësh (20 nëntor) do mësojnë rivalin e play-off.
"Përjetimi i ndeshjes me Andorrën? Është një arritje fantastike dhe historike, pasi për herë të parë jemi në play-off. Performanca e ekipit ka qenë mbresëlënëse dhe stafi bashkë me lojtarët duan një duartrokitje. Na kanë bërë krenar të gjithëve. Dueli me Andorrën ishte delikat, janë këto sfida që tri pikëshin e ke të sigurt, por kur e ke detyrim janë duele që të kthehen në 'makth'.
Ndeshja me Andorrën ishte e vështirë, tri pikëshi ishte i merituar edhe pse me një gol. Misioni është përmbushur. Edhe pse disa futbollistë nuk janë titullarë me ekipet e tyre, me Kombëtaren ata kanë treguar se janë profesionistë.
Do vendosje bast që gjerat të shkonin kështu, apo prisje garë deri në ndeshjen e fundit?
Jam shumë i lumtur që e kemi mbyllur misionin para ndeshjes me Anglinë, ata nuk tolerojnë dhe me çfarëdo elementë të hedhin në fushë, janë të denjë më shumë se titullarët. Nesër me ta shpresoj që të bëjmë një paraqitje dinjitoze, do jetë një ndeshje feste, por ta mbyllim me një rezultat pozitiv. Edhe barazimi do ishte mirë.
Kemi lënë pas Serbinë. Në fillim të shortit ata kanë qenë më favoritë në letër, për shkak të disa elementëve cilësore që kanë në ekip. Në fushë ne ishim superiorë në dy ndeshje me ta. Përballja me Serbinë ishte 'çelësi' i suksesit. Sidomos ndeshja në Tiranë, aty u binda për kalimin në play-off. Serbia ishte në kaos. Sylvinho është më i mirë se trajneri i serbëve.
Nesër ndeshja kundër Anglisë. Janë të vetmit që na kanë mposhtur. Si e shihni formacionin?
Sylvinho duhet të bëjë rotacion edhe për shkak të kartonave të verdhë. Trajneri do i ruajë për t'i pasur të gatshën në play-off. Me Anglinë duhet ta kemi një ndeshje feste, paçka se diferencat janë të frikshme. Trajneri i tyre, Tuchel, ka objektiv që ta mbyllë vetëm me fitore, duke mposhtur paragjykimet se përse një gjerman është në stolin e Anglisë. Tuchelit i duhet rinovimi. Kjo duhet të jetë një ndeshje feste.
Faza e play-off dhe si mund të përballohet për një biletë në Botëror?
Shpresoj shumë që të kemi një rival të përballueshëm, kemi treguar që edhe ata që kanë qenë superiorë i kemi mundur. Janë ndeshje teke, mos futemi si inferiorë. Të tentojmë shanset dhe të kapim këtë mundësi që na ka ardhur për herë të parë. Pse mos tentojmë më tej edhe pse misionin e kemi përmbushur? Të japim maksimumin, le të shpresojmë për më shumë pasi në futboll asgjë nuk është e pamundur', tha Fation Baze.
Komente








