TIRANË - Vllaznia dhe Partizani përballen nesër në orën 16:30 në "Loro Boriçi" për raundin e 21-të në Superligë. "Demat e Kuq" kanë një transfertë delikate në Shkodër, pasi përballë është Vllaznia e cila ka tre fitore radhazi dhe mban vendin e dytë.
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli për mediet duke thënë se ekipi i tij nuk i druhet asnjë rivali, por ceku moshën e re të futbollistëve të tij dhe dëmtimet.
”Ndeshja me Vllazninë - Partizani kërkon të bëjë maksimumin për ndeshjen e radhës. Vllaznia është në momentin e saj më të mirë, por ne sigurisht hyjmë për tre pikët si në çdo ndeshje.
I druheni sulmuesit Balaj?
Ne i dimë vlerat e të gjithë sulmuesve të Vllaznisë, sidomos të Bekim Balajt. Ai është një vlerë e kampionatit shqiptar, e vlerësojmë për atë që ka bërë në Shqipëri. Nuk kemi pse t'i friksohemi askujt, normale kemi marrë masat për ta izoluar si Balajn ashtu edhe çdo lojtar tjetër të Vllaznisë dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit.
Në dy përballjet e sezonit nuk keni arritur fitore ndaj Vllaznisë...
Besoj se në ndeshjen e luajtur në “Arenën e Demave” kemi qenë dominues ndaj Vllaznise me raste me gola. Kemi pësuar një gol nga Mala me një goditje nga jashtë zone dhe asnjë rast tjetër të rrezikshëm nga Vllaznia. Ne kemi patur disa raste që nuk i shfrytëzuam. Besoj që këtë herë t'i shfrytëzojmë rastet tona dhe të dalim me pikët maksimale nga “Loro Boriçi”.
Çfarë mund të ndryshoni nesër ndaj Vllaznisë?
Pavarësisht që ne vazhdojmë të kemi disa dëmtime të gjata, kanë qenë dëmtime, jo si aludohet në media, që mund të kenë ardhur nga fusha apo nga përgatitja. Kanë qenë dëmtime, mund të themi fatkeqe, sepse janë dëmtime si trauma, thyerje kocke si rasti i Doumbia në ndeshjen me Tiranën. Çipi dhe Marku këputën ligamente në Vlorë dhe Rrogozhinë. Kanë qenë dëmtime fatkeqësie dhe nuk kanë ardhur si rezultat i fushës apo seancave stërvitore. Nuk kemi patur trauma muskulare.
Çfarë do të kemi ndryshe? Ne jemi po i njëjti ekip, të jemi agresiv, të japim maksimumin për çdo top, çdo centimetër. Jemi të gjithë një grup shumë i shëndetshëm pavarësisht se jemi ekipi më i ri në kampionat. Pavarësisht të gjitha mungesave, klubi ka një numër të madh lojtarësh që mund t'i zëvendësojë të dëmtuarit nuk është aspak problem.
Mungesa e Martinit në stol është plus për ju?
Nuk besoj se është plus sepse trajneri ka punuar gjithë javën . Një ndeshje mund të mungoj edhe unë, nuk besoj se është avantazh. Çdo trajner do të donte të ishte aty, por veprimet janë të tyret nuk dua t'i komentoj fare. Nuk është një ndeshje Kërnaja- Martini, është Vllaznia - Partizani , besoj nuk do ndikoj fare", tha trajneri 37-vjeçar i Partizanit.
Kërnaja u ul në stolin e Partizanit më 7 tetor 2025 dhe e ka drejtuar ekipin në 14 takime në Superligë, duke arritur gjashtë fitore, katër barazime dhe katër humbje.
Komente









