Shqipëria ka marrë 3 pikë shume të rendësishmë përballë Finlandës në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur 2-0 në Air Albania.

Kuqezinjtë ashtu siç premtuan e nisën duke sulmuar që në minutën e parë, ndërsa dueli u zhbllokua me supergolin e Ernest Muçit. Për të parë golin e dytë u desh të vinte pjesa e dytë ku Rey Manaj dyfishoi me kokë pas asistit të Elseid Hysajt.

Me këtë fitore Shqipëria u ngjit në kuotën e 12 pikëve në Grupin C1 të Ligës së Kombeve, 2 më shumë se Bjellorusia e vendit të dytë. Pikërisht ndeshja me këta të fundit në Hungari, me 15 nëntor, do të jetë vendimtare për vendin e pare.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:47
'Vetëm fitore!'/ Tifozët shqiptarë koreografi në mbështetje të Erion Vishkullit, protestuesit që u plagos në sy gjatë protestës në Tiranë (VIDEO)

 

Tifozët shqiptarë kanë shpalosur një koreografi të veçantë në ndeshjen Shqipëri–Finlandë, në shenjë solidariteti për 28-vjeçarin Erion Vishkulli.

I riu u plagos në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë.

Në tribunë u shfaqën imazhi i syrit të dëmtuar dhe mesazhi “VETËM FITORE”, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje.

Ora 20:26
Tifozi finlandez vjen enkas për ndeshjen, surprizon me deklaratën për Kombëtaren shqiptare: Jeni ekip i fortë, do fitoni 2-0!

1794511701_fin.JPG

Për ndeshjen Shqipëri-Finlandë ka ardhur enkas nga Finlanda edhe një tifoz, i cili ka udhëtuar drejt vendit tonë për të ndjekur nga afër këtë përballje.

Por, pavarësisht se mbështet ekipin finlandez ai parashikon fitoren e Shqipërisë.

“Jeni një ekip i fortë dhe do të fitoni 2-0”, u shpreh tifozi, duke surprizuar me parashikimin e tij.

Ora 19:20
Atmosferë festive me daulle para ndeshjes Shqipëri-Finlandë, mbi 21 mijë tifozë kuqezi mbushin stadiumin! Kërcejnë e këndojnë në mbështetje të Kombëtares (VIDEO)

Prej orës 18:30 ka nisur hyrja e tifozëve në stadium, në prag të sfidës Shqipëri-Finlandë. Që në minutat e para është vënë re një fluks i lartë mbështetësish, të cilët i janë drejtuar shkallëve të stadiumit për të ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare. Atmosfera jashtë stadiumit është shoqëruar me entuziazëm me muzikë dhe ritme daullesh.

Në mesin e tifozëve shihet një djalë i vogël me kostum tradicional popullor shqiptar, i cili me daulle i është bashkuar grupit të instrumentistëve që po ndezin atmosferën kuqezi jashtë stadiumit

Interesi për këtë përballje ka qenë i lartë, pasi të gjitha biletat janë shitur prej dy ditësh ku mbi 21 mijë tifozë pritet të jenë të pranishëm në stadium, për të mbështetur Kombëtaren. Ndërkohë kanë mbërritur edhe “Tifozat Kuq e Zi”, pas përplasjeve që patën me FSHF-në për çështjen e biletave ku duket se marrëdhëniet mes grupimit dhe Federatës janë përmirësuar, duke bërë që akulli mes palëve të shkrihet.